TIRANE – Publicisti i njohur, Ardian Klosi, ndodhet në Spitalin Psikiatrik të Tiranës prej pesë ditësh, pas problemeve shëndetësore. Personazhi i njohur si komentator i çështjeve të gjuhësisë, historisë, por edhe artit e ambientalizmit, është shtruar fillimisht në Pavijonin e Toksikologjisë në QSUT, ku është paraqitur në datat 30-31 dhjetor 2011.
Klosi është çuar aty nga familjarët për ndihmë mjekësore dhe shkak ka qenë një dozë e madhe ilaçesh antidepresive përzier me alkool. Sipas burimeve spitalore, Klosi në këtë kohë kishte shfaqur simptomat e një helmimi për të cilin është trajtuar në spital, ku ishte dërguar nga familjarët e tij në gjendje jo të mirë shëndetësore. Pasi është paraqitur në toksikologji, Klosi mësohet se është trajtuar me një lavazh dhe më pas është kthyer në banesën e tij pasi është lënë i lirë nga mjekët. Por ndërkohë që gjendja shëndetësore po përmirësohej nga helmimi, të mërkurën e kësaj jave, më datë 5 janar 2012, publicisti Ardian Klosi ka pirë të gjithë kutinë e ilaçeve antidepresive që merrte prej kohësh dhe për pasojë ka përfunduar përsëri në spital, në gjendje të rënduar shëndetësore. Pasi është paraqitur në spital, mjekët kanë nisur menjëherë trajtimin për publicistin e njohur edhe në fushën e përkthimit.
Mbrëmë, mjekja roje e spitalit tha për gazetën “Panorama” se zoti Klosi ndodhej në Spitalin Psikiatrik duke marrë mjekimet e nevojshme dhe se gjendja e tij ishte në parametra jashtë çdo rreziku. Sipas mjekëve, vendimi për shtrimin e Klosit në Psikiatri është marrë bazuar në faktin se ai mjekohej edhe më parë për probleme të depresionit, por edhe duke marrë shkas nga veprimet e përsëritura të tij javët e fundit me marrjen e medikamenteve mbi dozën e rekomanduar nga mjekët. Nga burimet spitalore mësohet se publicisti Ardian Klosi prej një kohësh merrte rregullisht medikamente mjekësore antidepresive.
Nuk është e qartë kohëzgjatja e trajtimit me këto medikamente, megjithatë mjekët kanë thënë mbrëmë se kurimi i publicistit në Spitalin Psikiatrik po vazhdon. Sipas burimeve spitalore gjendja e Klosit është ndjekur nga mjeku Afrim Dangëllia.
© Panorama.al











