Mbetësit e maturës do të kenë mundësi të regjistrohen në të gjitha ato degë që do të kenë kuota të parealizuara. Kjo është mundësia që Ministria e Arsimit do t’u japë rreth 6 mijë të rinjve që nuk arritën të merrnin një nga katër provimet e detyruara. Por, këtë shans ata do ta kenë vetëm në rast se marrin nota pozitive në provimet e vjeshtës. Datat tashmë janë përcaktuar. Nesër do të rijapin Matematikën të gjithë ata nxënës që kanë marrë rezultate negative në këtë lëndë. Më pas, më 13 shtator, do të jepet provimi i Letërsisë. Kush ka mbetur në një ose të dy lëndët me zgjedhje, do t’i rijapë më 17 shtator. Rezultatet e testeve pritet të shpallen rreth datës 23 shtator, ndërkohë që do të ketë vetëm një qendër vlerësimi, që do të jetë shkolla “Konstantin Kristoforidhi”. Testet do të mbikëqyren nga uniformat blu. “Në rast se maturantët nuk dëshirojnë të vazhdojnë këtë vit studimet dhe dëshirojnë t’i transferojnë vitin tjetër notat, e kanë këtë të drejtë. Jemi të detyruar t’i qëndrojmë me seriozitet të gjitha çështjeve që ata kanë, t’u japim një mundësi dhe pastaj u takon atyre si e shfrytëzojnë këtë mundësi”, shprehen specialistët e Ministrisë së Arsimit. Edhe për sezonin e vjeshtës pyetjet e testeve do të jenë të ndara në tri nivele vështirësie, duke filluar nga ato më të lehtat deri tek ato më të vështirat, për nxënësit më të mirë. Kështu, 40% e pyetjeve në teste do të jenë për maturantët që hyjnë në kategorinë e nxënësve të dobët. Niveli i dytë i pyetjeve, ku hyjnë nxënësit pak më të mirë në mësim se të dobëtit, do të zërë në çdonjërin prej testeve po 40% të totalit të pyetjeve. Niveli i parë, ose i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë, do të ketë 20% hapësirë në test. Në këtë grup pyetjesh, maturantët do të testohen jo më vetëm për njohuritë që kanë marrë gjatë shkollës së mesme, por edhe për kreativitetin e tyre individual. Në këtë mënyrë, maturanti i nivelit të tretë ka të ngjarë të marrë 40% të pikëve (nëse është i mirë për nivelin ku bën pjesë), ata të nivelit të dytë 80%, dhe maturantët e nivelit të parë 100% të pikëve, pra vlerësim maksimal.
Testet
Testi për secilin nga provimet e detyruara do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje do të jenë me përgjigje alternative dhe do të vlerësohen me 13 pikë, kurse 12 pyetje do të jenë me zhvillim dhe do të vlerësohen me 37 pikë. Ndërsa për provimet me zgjedhje, testi për secilën nga lëndët do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje do të jenë me përgjigje alternative dhe do të vlerësohen me 10 pikë, ndërsa 10 pyetje do të jenë me zhvillim dhe do të vlerësohen me 30 pikë.











