“Mbështetje institucioneve të drejtësisë”- Ambasadori i OSBE takon kreun e SPAK, Braho! Tarran: bashkëpunim për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar!

Jan 20, 2026 | 20:45

Kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme vijon të marrë mbështetje ndërkombëtare, për të vijuar punën në luftën kundër korrupsionit në nivel zyrtar dhe krimit të organizuar.

braho dhe tarran

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, ishte diplomati i radhës që u takua sot me Klodjan Brahon në SPAK, pas zgjedhjes të tij si drejtues i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ambasadori e përgëzoi Brahon për zgjedhjen në detyrë dhe ritheksoi mbështetjen e fortë të OSBE-së për SPAK në procesin e reformës në drejtësi në Shqipëri, si dhe rëndësinë e institucionit për shtetin e të drejtës.

“Gjatë takimit, ambasadori Tarran dhe Braho diskutuan bashkëpunimin aktual dhe të ardhshëm ndërmjet Prezencës së OSBE-së dhe SPAK-ut, përfshirë mbështetjen përmes veprimtarive të rritjes së kapaciteteve, këshillimit për politika dhe shkëmbimit të praktikave më të mira ndërkombëtare”, thuhet në një njoftim të shkurtër për këtë rast.

Kryetari i Prezencës ritheksoi gjithashtu edhe angazhimin e vijueshëm të Prezencës së OSBE-së, “për të mbështetur institucionet e drejtësisë në Shqipëri dhe mirëpriti pikëpamjet e Brahos, mbi mënyrat se si bashkëpunimi mund të forcohet më tej për të adresuar në mënyrë efektive korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

© Panorama.al

Te lidhura