Vapa, 150 persona në ditë me zemër në Urgjencën e QSUT

Jul 15, 2011 | 10:41
Dje në Urgjencën e Kardiologjisë

Mesatarisht në ditë janë paraqitur mbi 150 persona gjatë kësaj jave, të cilët kanë kërkuar asistencë mjekësore për probleme kardiake. Nga sa pohojnë mjekët dhe infermierët e këtij shërbimi, pardje në orët e para të mëngjesit fluksi në urgjencë ishte i papërballueshëm dhe shtretërit të pamjaftueshëm. Ndaj u mendua të merren menjëherë masa. Sigurisht, me kushtet që ofron spitali më i madh në vend, ku nuk të bën aspak përshtypje që serumin e vizitën ta bësh në korridor. Dje në mbrëmje rreth, orës 19:00, 5 shtretër ishin të rreshtuar në korridorin e urgjencës së kardiologjisë. “Kryesisht tani është qetë dhe pacientët na shtohen pas orës 10 të darkës. Kemi mbi 150 raste në ditë. Shtretërit janë të pamjaftueshëm po të paktën kemi rezervë këto që janë në korridor”, tha njëri nga infermierët. Ai shtoi se kapacitetet në këtë shërbim janë prej vitesh të pamjaftueshme. “Normalisht ka 15 shtretër, po tani janë shtuar disa edhe në korridorin e brendshëm dhe këtu jashtë. Gjithsej maksimumi janë 20 shtretër, por mendoni që fluksi i pacientëve është gati 10 herë më i lart”, sqaroi një tjetër punonjës i personelit të mesëm. Nëse një pacient ka nevojë të menjëhershme për mjekim, atëherë mjekët janë të detyruar që të ngrenë një tjetër të sëmurë, që mund të ketë ardhur më përpara, por që mund ta ketë rimarrë disi veten, për të shtrirë një tjetër rast që është më rëndë. Panorama që ofrohet në këtë urgjencë është e njëjta çdo ditë. Mjekët kardiologë shpjegojnë se, për shkak të kushteve tepër të vështira, edhe puna vështirësohet shumë, marrëdhënia me familjarët gjithashtu. Në këtë repart, prej kohësh pacientët e marrin mjekimin e tyre nëpër karrige, ndonëse në fillim të vitit u premtua nga ana e drejtuesve të QSUT-së për përmirësim të kushteve dhe shtim të numrit të shtretërve.
Një infarkt në ditë
Mungesa e shtretërve bën që çdo qytetar, i cili drejtohet për të marrë ndihmë mjekësorë në këtë urgjencë, të presë derisa të lirohet një shtrat ose detyrohet të akomodohet në karrige të thjeshta. Nga të dhënat zyrtare të shërbimit të kardiologjisë që përfshin edhe pavijonin në katin e dytë, çdo ditë paraqitet të paktën një person me infrakt akut. Pjesa më e madhe i përkasin grupmoshës mbi 50 vjeç. Sipas mjekëve, ky fakt i tillë është tepër shqetësues, pasi sëmundjet e zemrës paraqesin komplikacione dhe në të shumtën e rasteve shkaktojnë vdekje. Nuk po u shpëtojnë atyre edhe moshat e reja. “Sëmundjet kardiake nuk po kursejnë as të rinjtë, pasi kemi plot raste që këtë sëmundje e kemi ndeshur edhe te moshat 30-vjeçare”, sqarojnë mjekët kardiologë.  Sëmundjet e zemrës janë problematike për shumicën e vendeve të botës, por Shqipëria renditet ndër vendet më të riskuara. Sëmundjet kardiovaskulare renditen të parat për numrin e vdekjeve që shkaktojnë. Mbi 50% e personave në regjistrin e vdekshmërisë rezulton se kanë humbur jetën për shkak të një problemi kardiovaskular. Mjekët sqarojë se stresi, mënyra e të ushqyerit, duhani e alkooli renditen në grupin e faktorëve negativë në funksionimin e zemrës dhe sjellin edhe komplikacione. “Vitet e fundit është vërejtur një mbingarkesë stresante te njerëzit, gjë që ka ndikuar në rritjen e numrit të të sëmurëve me zemër. Ashtu si duhani, edhe alkooli renditet në faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e rrezikshmërisë në sëmundjet e zemrës”, thonë mjekët specialistë. Ata këshillojnë sport për të pasur një zemër të shëndetshme.

Hipertensioni

Të dhënat tregojnë se 40 për qind e femrave dhe 45 për qind e meshkujve në moshat 45-49 vjeç vuajnë nga hipertensioni. Por, nëse në botë gjysma e atyre personave që kanë tension të lartë gjaku janë të ndërgjegjshëm, në Shqipëri kjo shifër është shumë e vogël, sidomos për meshkujt. Për femrat, kemi një fat që ato i përdorin më shumë shërbimet për arsye të ndjekjes së shtatzënisë apo të fëmijëve etj, pohojnë mjekët, duke vënë në dukje se në këtë kategori të fundit ndërgjegjësimi është më i lartë.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura