Mazniku:Interes për hapësirën ajrore të Kosovës

Nov 7, 2011 | 10:42
Ervin Mazniku, drejtori i Aviacionit Civil Shqiptar

Shqipëria ka shfaqur interesin e saj për të qenë aktive në menaxhimin e hapësirës ajrore të Kosovës. Këto detaje u dhanë gjatë një aktiviteti të zhvilluar pak ditë më parë në Tiranë me sugjerimin e NATO-s, ku morën pjesë zyrtarë të NATO-s dhe aviacioneve civilë të Shqipërisë, Kosovës, shtetit maqedonas dhe Hungarisë. Ky forum erdhi nën temën “Normalizimi i hapësirës ajrore të ballkanit dhe hapja e hapësirës së sipërme ajrore të Kosovës”, një aktivitet që i paraprin një tjetër takimi të rëndësishëm, që pritet të zhvillohet së shpejti në Bruksel.  Interes lidhur me menaxhimin e hapësirës ajrore të Kosovës ka shfaqur Hungaria, por edhe Shqipëria. Drejtori i Aviacionit Civil Shqiptar, Ervin Mazniku, shprehu interesin lidhur me këtë “sipërmarrje”, duke u shprehur se përfshirë sugjerimeve të NATO-s dhe interesit të vendeve të tjera për menaxhimin e hapësirës ajrore të Kosovës, Shqipëria ka si avantazh pozicionin gjeografik. “Besojmë se do t’i qëndrojmë skenarit tonë teknik, sa i përket ofrimit tonë si kandidati potencial më i pranueshëm, sa i përket gjithashtu menaxhimit të hapësirës ajrore të Kosovës” tha ai. Ndërkaq, i pranishëm në forum ishte dhe drejtori i Aviacionit Civil të Kosovës, Dritan Gjonbalaj, i cili theksoi se takimi në Tiranë synon të mbështesë nismën për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit të udhëhequr nga NATO, si dhe hapjen e hapësirës së sipërme ajrore të Kosovës. “Hapësira e lartë ajrore e Kosovës është e mbyllur për mbikalime që nga viti 1999. Ne jemi duke punuar ngushtë me NATO-n, me partnerë të tjerë dhe mbi të gjitha, natyrisht me Autoritetin e Aviacionit Civil të Shqipërisë. Jemi në rrugë të mirë për të gjetur një zgjidhje që është politikisht, teknikisht dhe praktikisht e pranueshme”, tha ai. Në takim u bë e ditur se do të jenë javët e ardhshme që do të qartësojnë se cilat do të jenë edhe agjencitë që do të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës për menaxhimin e hapësirës ajrore.

© Panorama.al

Te lidhura