Komisioni i Ekonomisë kalon me votat e PD kandidaturën e Topit për guvernator. Braçe:Dua korrespondencën e Kuvendit me Presidentin
Mimi Kodheli dhe Erion Braçe, dy deputetët e vetëm të opozitës dje në Komisionin e Ekonomisë gjatë votimit të dekretit të Presidentit, që propozonte Ardian Fullanin për Guvernator të Bankës së Shqipërisë, kanë refuzuar të votojnë. Braçe, kërkoi që Fullani të thirrej në komision për të mbrojtur kandidaturën e tij dhe nga ana tjetër, akuzoi se, në Komision ndiqen dy standarde për propozimet që vijnë nga Kryeministri dhe për propozimet që vijnë nga Presidenti. Ai kërkoi të disponojë edhe korrespondencën që fakton bashkëpunimin e Kuvendit me Presidentin, për propozimin e kandidaturës së Ardian Fullanit për Guvernator të Bankës së Shqipërisë. “Dua të di praktikën pwr Kuvendin e Republikës dhe Presidentin që provon bashkëpunim në rastin e këtij dekreti, sepse për këtë arsye dekrete të tjera të Presidentit të Republikës janë hedhur poshtë. Nuk mund të ketë dy standarde” u shpreh Barçe. Edhe deputetja Kodheli i është referuar rastit të kandidaturës për kreun e KLSH-së Sali Shehu që propozoi Presidenti, i cili u rrëzua nga mazhoranca duke theksuar se standardet, që ndiqen janë të ndryshme. Mazhoranca në fund, miratoi kandidaturën e propozuar nga Presidenti për Ardian Fullanin si Guvernator i BSH vetëm me votat e saj.
Debati
Erjon Braçe: Në këtë komision, jemi të gjithë dëshmitarë që dekretet e Presidentit janë kthyer mbrapsh për arsye të mos bashkëpunimit apo mosrakordimit me Kuvendin. Dua të njihem me praktikën e dokumentuar të bashkëpunimit mes dy institucioneve. Në referencë të praktikës së këtij komisioni dhe mbi të gjitha, në respekt edhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat na janë lexuar në këtë komision.
Edmond Spaho: Zoti Braçe procedura është unike dhe standarde për gjithë emërimet e drejtuesve të organeve kushtetuese.
Mimi Kodheli: Nuk marrim pjesë në votim. Mendojmë se procedura dhe standardi i ndjekur për këtë dekret është krejt i ndryshëm nga standardi i ndjekur për kandidaturën e fundit, që erdhi nga Presidentit për KLSH-në, prandaj të lutem në procesverbal të mos shënohet që ne kemi votuar.











