Matura, vendosen datat e provimeve

Feb 25, 2011 | 14:13

Në këtë datë, maturantët do t’u nënshtrohen provimeve me zgjedhje. Dy provimet e detyruara do të jepen përkatësisht më 1 dhe 15 qershor. “Kjo masë është ndërmarrë në mënyrë që kandidatët për në shkollat e larta, të bëjnë një llogaritje paraprake të pikëve, përpara se të aplikojnë për në universitet. Vetëm duke ditur notat e 4 provimeve, ata do kenë një ide të qartë se sa pikë grumbullojnë dhe ku kanë shanse për të fituar”, sqarojnë specialistët e ministrisë. Krahas udhëzimit që do të detajojë edhe datat e provimeve për profilet e tjera të shkollave të mesme, pritet që ministri të firmosë edhe urdhrin për organizimin e konsultimeve në shkrim të nxënësve maturantë. Burime nga MASH-i pohuan për gazetën se konsultimet do të bëhen me grafik. Për lëndët e provimeve të detyruara, konsultimet do të zhvillohen në bazë klase, ndërsa lëndët me zgjedhje mbi bazën e grupit të formuar nga drejtoria e shkollës, duke marrë për bazë të dhënat e formularit A1. Një javë përpara secilit testim do zhvillohen mesatarisht 5 orë konsultime në letërsi, 8 orë konsultime në matematikë dhe 8 orë konsultime në lëndët me zgjedhje. “Përgjigjet do të jepen brenda një harku kohor prej 10 ditësh për secilin provim”, sqarojnë specialistët e MASH-it. Sipas tyre, për të plotësuar formularin A2, kandidatët do të kenë afat deri në 30 korrik. Sipas specialistëve, më probabilitet për t’u shpallur fitues në universitete do të kenë ata maturantë, që do të përcaktojnë për provimet me zgjedhje lëndë që janë të ngjashme me profilin e shkollës së mesme që kanë mbaruar. Kjo, pasi në procesin e llogaritjes së rezultatit final, vlera e koeficientëve do të jetë më e lartë për degët e të njëjtit profil me llojin e shkollës së mesme, sesa ato me natyra të ndryshme. Afati i fundit për dorëzimin e formularit të plotësuar është përcaktuar data 10 mars 2010. Pak ditë më parë, MASH-i nxori udhëzimin për mënyrën si do të plotësohet ky formular. Maturantët duhet të konsultohen me koeficientët dhe të mos gabojnë në caktimin e gjeneraliteteve. Formati i ri i formularit A1 është më i thjeshtëzuar se ata të mëparshmit. Këtë vit, maturantët do të kenë në dispozicion 5 lëndë të reja me zgjedhje. Numri i tyre nuk do jetë më 12, por 17. Në bllokun e lëndëve të shtuara janë: Histori muzike, Harmoni, Anatomi, Histori Baleti. Përveç formularit A1, të cilin do ta plotësojnë nxënësit që përfundojnë këtë vit gjimnazin, të gjithë ata që shkollën e mesme e kanë përfunduar përpara 2011-s do të plotësojnë formularin A1Z.

Zirina Llambro

© Panorama.al

Te lidhura