Provimi i parë i Maturës është në prag. Të 34 mijë nxënësit që do t’i nënshtrohen atij, duhet të bëjnë kujdes. Kush thyen rregullat e vendosura do të përjashtohet nga Matura 2011. Në këtë mënyrë, automatikisht humbet shansin për të kandiduar në shkollat e larta. Ministria e Arsimit tashmë i ka bërë të qarta me rregulloren detyrat e nxënësve gjatë dhënies së provimeve. Por penalizimet nuk do të mungojnë edhe për mësuesit. Testet përfundimtare, kodet e sekretimit të maturantëve si dhe pikët e notat, deri sa te shpallen rezultatet, konsiderohen materiale të klasifikuara. Arsimtaret që do të bëhen pjesë e procesit të hartimit dhe vlerësimit të testeve duhet të mendohen mirë. Ata do të nënshkruajnë një kontrate individuale me Ministrinë për t’u bërë pjesë e procesit. Në rast se shkelin rregulloren apo japin informacion për materialet e klasifikuara, ata rrezikojnë nga vërejtje me shkrim, deri te largimi nga puna. Masa e fundit do të ndërmerret në rastet kur mësuesit lejojnë që maturantët të shkelin rregullat gjatë dhënies së provimit apo bëjnë favorizime. Përfaqësuesi i MASh-it për shkeljet e evidentuara ia përcjell Komisionit të Shqyrtimit të Parregullsive ngritur nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, i cili, pas shqyrtimit të masave, ia propozon masat ministrit të Arsimit dhe Shkencës, që merr vendimin përkatës. Maturantit nuk i njihen rezultatet në rast se ditën e provimit nuk është i pajisur me dokument identifikimi, nuk qëndron në vendin që i caktohet, përpiqet të japë provimin për një nxënës tjetër, thuhet në rregullore. I njëjti penalizim vlen edhe kur kandidati bën përpjekje të fitojë në mënyrë të padrejtë informacion mbi përmbajtjen e testit, merr ose jep kopje apo komunikon me nxënës të tjerë. Ndalohen gjithashtu edhe komentet lidhur me përmbajtjen ose zgjidhjen e testit. Nga provimi përjashtohet edhe nëse përdor mjete shkrimi të ndryshme nga ato të specifikuara për këtë qellim, të cilat janë stilolaps me ngjyre të zezë ose blu. Rezultatet nuk njihen nëse kandidati mban me vete telefon celular radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimeve, saktëson rregullorja. Gjithashtu, duhet zbatuar procesi i sekretimit dhe maturantet nuk duhet të largohen më parë. Ata duhet të bëjnë kujdes që të mos heqin, shkruajnë ose dëmtojnë kodin e sekretimit, barkodin të vendosur në test apo testin vetë, duke e palosur zhubrosur grisur apo duke mos e dorëzuar.
Dorëzimi i testit
Maturantët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së përcaktuar, nuk duhet të dalin nga mjedisi ku zhvillohet provimi, por të grumbullohen në një sallë të përcaktuar që më parë, thuhet në rregullore. Sipas saj, nëse testi që i jepet maturantit është i dëmtuar ose me faqe të bardha, ai ka të drejtë të kërkojë menjëherë ndërrimin e testit.











