Matura, 4 provimet kusht edhe për të nisur studimet jashtë

May 12, 2011 | 8:54

Nëse një maturant nuk klasifikohet në njërin nga provimet e Maturës, atëherë do ta ketë të pamundur të ndjekë universitetin edhe jashtë vendit. Për herë të parë, këtë vit notat kaluese në dy lëndët me zgjedhje janë kusht për të gjithë ata që përfundojnë shkollën e mesme. Kjo pasi marrja e notave kaluese në provimet me zgjedhje dhe ato me detyrim kushtëzon lëshimin e diplomës, e cila fakton mbarimin e shkollës së mesme. Ndërkohë, kjo diplomë klasifikohet edhe si një ndër dokumentet bazë në procedurën që duhet të ndjekin maturantët për të fituar një të drejtë studimi pranë universiteteve të huaja, të kërkuara nga shqiptarët. Marrja e notës negative, qoftë dhe vetëm në njërin nga provimet e penalizon maturantin me humbjen e një viti, pasi nuk do të ketë më sezon vjeshte. Kështu, maturanti humbet përfundimisht të drejtën e ndjekjes së studimeve të larta gjatë këtij viti. Ky rregull do të shërbejë edhe për pranimet në universitet private Ndryshe nga sa ka ndodhur në vitet e shkuara, nuk mund të pranojnë asnjë maturant që nuk është pajisur me diplomën e shkollës së mesme, e cila jepet vetëm pasi të merren nota kaluese në të katër provimet. Provimi i parë i maturës do të zhvillohet më 1 qershor në lëndën e letërsisë dhe gjuhës shqipe. Teza e provimit do të përshtatet me drejtimin e gjimnazit apo llojin e shkollës së mesme, ndërsa pyetjet lidhen me fragmente veprash nga autorë të përcaktuar më parë. Testi do të jetë i ndarë në dy pjesë. Secila pjesë e testit do të përmbajë fragmente veprash ose pjesë letrare të periudhave dhe gjinive të ndryshme letrare. Vështirësia e pyetjeve do të jetë e përshtatur për të tria nivelet e nxënësve. Përkatësisht, 40% e pyetjeve do të jenë për nxënësit e dobët, po kaq për ata mesatarë. Plot 20% e pyetjeve të testit do të hartohen posaçërisht për nxënësit e mirë dhe shumë të mirë.

30 qershor
është data e vendosur për përfundimin e provimeve të Maturës Shtetërore. Provimi i parë, ai i letërsisë, do të jepet nga të gjithë maturantët më 1 qershor

© Panorama.al

Te lidhura