Masakra e Shijakut, autori: Desha të vrisja dy të tjerë

May 27, 2011 | 10:33
Viktima Blerim Kërtalli

Desha të vrisja dy persona të tjerë dhe jo viktimat që qëllova në Shijak. Kështu është shprehur për grupin e hetimit 25-vjeçari Emiliano Tema, po nga Shijaku.Pasi ka qëlluar me breshëri ndaj mjetit fuoristradë ML me ngjyrë gri metalizato, ai është larguar me shpejtësi, për të mësuar pak minuta më pas se kishte vrarë personat e gabuar. Makina identike e viktimave me të personave që ai kishte vënë në shënjestër për të vrarë, solli edhe masakrën tek vendi i quajtur “Katër rrugët” në Shijak. Sipas dëshmisë së tij, por edhe hetimeve të policisë, mjetit të shënjestrës me atë të viktimave i ndryshonte vetëm targa. “I prita për rreth 35 minuta anës autostradës. E dija se ata do të kalonin aty. Kur u afrua makina, i qëllova pa e ditur se kisha ngatërruar objektiv. Mjetet ishin të njëjta… Kështu është shprehur më tej 25-vjeçari, i cilit sipas policisë rezulton të ketë qenë i dënuar 3 herë më parë për vepra të ndryshme penale, si plagosje, vjedhje etj. Sipas dëshmisë së dhënë prej tij, ai ka qenë me dy miqtë e tij, Indrit Kapedanin dhe shtetasin me inicialet S.T.. Policia bëri të ditur se edhe viktimat e mundshme të të arrestuarit rezultojnë me precedentë penalë. Ata kanë qenë së bashku duke luajtur domino në një nga lokalet e zonës tek “Katër rrugët”, ku edhe janë konfliktuar për lojën. Pas sharjeve e fyerjeve, Tema i ka qëlluar ata me një tavllë, veprim i cili ka irrituar dy shokët e tij. Këta të fundit e kanë dhunuar në lokal, çka ka provokuar më pas edhe vendimin e të riut për t’i ekzekutuar ata. “Shkova në shtëpi dhe mora armën automatike. I prita në rrugë, pasi nuk kishin asnjë mundësi tjetër kalimi me makinë për të shkuar në banesat e tyre. E kisha vendosur, do t’i vrisja pasi ata më rrahën”, është shprehur më tej i arrestuari, duke shpjeguar edhe momentin e masakrës kur është afruar mjeti. Ai është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa fatmirësisht disa dëshmitarë që janë ndodhur në afërsi të karburantit ku ndodhi vrasja e dy personave dhe plagosja e dy të tjerëve, nuk pësuan plagë nga breshëria e plumbave. “Shkova në shtëpi pasi kreva krimin, por disa minuta më pas mediat publikuan emrat e viktimave. Nga mediat mësova se unë nuk kisha vrarë dy shokët e mi me të cilët isha konfliktuar vetëm rreth një orë më parë, por kisha vrarë dy njerëz të tjerë, të pafajshëm”, u shpreh më tej i riu. Ai ka këmbëngulur në ngatërrimin e objektivit pikërisht tek mjetet e ngjashme. Policia e Durrësit arriti të kryente arrestimin e tij në një kohë rekord, falë impenjimit të strukturave të saj. Blutë arritën të gjejnë edhe disa persona që janë ndodhur pak metra larg vendit të ngjarjes, banorë të Shijakut. Ata kanë arritur ta njohin autorin, ndërsa kanë dhënë edhe detaje të skenarit që vrau dy personat, kunetër me njëri- tjetrin. Menjëherë pas marrjes së informacionit, policia ka shkuar në banesën e tij duke e arrestuar. Burime të Policisë bënë të ditur se në banesën e tij u gjet edhe arma e krimit, e cila ishte ende e nxehtë nga të shtënat. “Në cilësinë e provës materiale, shtetasit Emiliano Tema iu gjet e sekuestrua arma e krimit, automatik model 56 me dy krehra, njeri prej te cilëve me 30 fishekë. Nga të dhënat hetimore të grumbulluara nga Seksioni Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit e strukturat e Komisariatit të Policisë Shijak, rezultoi se autori ka ngatërruar objektiv, pasi ai ka synuar të qëllonte mbi shtetasit I.K. dhe S.T., me të cilët ishte konfliktuar disa minuta më parë”, bëri të ditur policia.

Shënjestra, miq të autorit

Dy personat që mund të kishin qenë viktima të atentatit në Shijak ishin miq me autorin e vrasjes. Burime të Policisë bënë të ditur se edhe dy miqtë e tij kishin precedentë penalë, kryesisht për shpërndarje të lëndëve narkotike. Ata janë konfliktuar në një lokal të zonës ku ndodhi krimi për lojën e dominosë që po bënin së bashku.

Tema plagosi me armë në 2008-n në Tiranë

Policia e Durrësit bëri të ditur se Emiljano Tema, banues në vendin e quajtur “Katër Rrugët” në Shijak, rezultoi të jetë dënuar 3 herë më parë për vepra të ndryshme penale. Ai është edhe autor i plagosjes së rëndë me dashje i 34-vjeçarit Rifat Xhili,  ngjarje e ndodhur me 15 mars 2008, në fshatin Ndroq në Tiranë.  “Plagosje e rëndë me dashje”, “prodhim dhe shitje e bimëve narkotike”, “vjedhje e kryer në bashkëpunim”, janë disa nga akuzat me të cilat është përballur më parë i arrestuari.

precedenti, Një 22-vjeçar, viktimë e “ngatërresës”

Ngjarja e dy netëve më parë është precedenti i dytë në qarkun e Durrësit, ku autorët kanë ngatërruar objektivin. Më 30 mars të këtij viti, 22-vjecari Arbër Bardhi u ekzekutua gabimisht nga  50-vjeçari Musfana Hyseni. Autori i krimit dëshmoi në polici pas ngjarjes, se kishte ngatërruar objektiv. Ai ishte nisur të vriste një tjetër person për motive hasmërie. Hysenit i kishin vrarë një djalë pak vite më parë dhe ai tentoi të hakmerret, por duke vrarë personin e gabuar.

Në vendngjarje, 30 gëzhoja kallashi

Ekspertët e policisë së Durrësit sekuestruan në vendin e ngjarjes 30 gëzhoja të armës automatike me të cilën u krye edhe krimi. Në cilësinë e provës materiale, shtetasit Emiliano Tema iu gjet dhe iu sekuestrua arma e krimit, automatik model 56 me dy krehra, njëri prej të cilëve me 30 fishekë. Fatmirësisht, plumbat nuk kapën disa dëshmitarë që janë ndodhur në vendin e ngjarjes, në afërsi të një karburanti. Ata janë personat të cilët ndihmuan policinë në identifikimin e autorit.

Viktimat kunetër, pronarë të një lokali

Njëri prej viktimave që mbeti i vrarë në pritë tek vendi i quajtur “Katër Rrug-ët”, 35-vjeçari Mariglen Avdullai, kishte ardhur ditën e krimit nga qyteti i tij Lushnjë, për të vizituar të motrën, e martuar në Shijak.Ai është ndodhur në momentin e krimit në makinën e shënjestrës bashkë me kunatin e tij, viktima tjetër e këtij atentati, Blerim Kërtalli, 37 vjeç, nga Shijaku, si dhe dy të plagosurit. Burime të Policisë bënë të ditur se dy kunetërit janë viktima të rastësishme, pasi autori kishte ngatërruar objektiv. “Viktimat nuk rezultojnë të kenë precedentë penalë. Njëri prej tyre jetonte në Shijak, nuk ishte person i skeduar dhe problematik për Policinë”, bënë të ditur dje burime të policisë së Durrësit. Mësohet se 37-vjeçari Kërtalli ishte pronar i një lokali në Shijak, ndërsa kunati i tij e ndihmonte atë në menaxhimin e lokalit. Kunati i tij kishte ardhur ta ndihmonte atë, pasi ai po kryente disa rikonstruksione të vogla në objekt. Në kohën që janë ndalur për t’u furnizuar me karburant në vendin e quajtur Sallmone të Shijakut, papritur drejt tyre janë derdhur breshëri plumbash, duke çuar në fundin tragjik të dy të rinjve dhe plagosjen e dy të tjerëve, Altin Avdyli, 34 vjeç, shofer i mjetit dhe pasagjeri pas tij, Altin Brahimaj, 27 vjeç, që të dy banues në Shijak. 25-vjeçari Emiliano Tema, i cili është vënë në pranga pak orë më vonë, kishte zënë pritë dhe, në momentin që ka pikasur automjetin me të cilin udhëtonin katër të rinjtë, ka qëlluar drejt tyre me kallashnikov. Më pas, i ndihmuar nga errësira, është larguar.
Dy kunetërit, të cilët qëndronin në anën e djathtë të mjetit që është spostuar nga breshëria e plumbave, kanë marrë plagë të rënda dhe kanë humbur jetën sapo mbërritën në spital, ndërsa dy të rinjtë e tjerë kanë mundur të shpëtojnë edhe falë ndërhyrjes së shpejtë në Spitalin e Durrësit. “Autori ka qenë rreth orës 22:30 në vendin e quajtur Sallmone, afër “Katër Rrugët” në Shijak, kur i ka dalë përpara automjetit fuoristradë tip “Benz ML” me targa AA 542 KX, ngjyrë gri metalizato, duke qëlluar me breshëri kallashi në drejtim të tij. Kanë qenë banorët e zonës të cilët kanë bërë transportimin drejt Spitalit Rajonal të Durrësit të viktimave, me makina të rastit. Për shkak të plagëve të marra, me gjithë ndihmën mjekësore të dhënë, Blerim Kërtalli dhe Mariglen Avdullai kanë humbur jetën, ndërsa dy djemtë e tjerë ndodhen nën trajtim mjekësor jashtë rrezikut për jetën. Sipas bluzave të bardha, nga dy të mbijetuarit e masakrës, njëri prej tyre, Altin Brahimaj, nuk ka plagë me armë zjarri, por ai ka marrë dëmtime, të shkaktuara si rezultat i përplasjes së mjetit. Sipas Policisë, të mbijetuarit kanë rrëfyer se si janë gjendur në befasi në mes të breshërisë me plumba, teksa po ktheheshin nga Durrësi ku kishin qenë në një kafe të këtij qyteti. Ngjarja e ndodhur dy net më parë në afërsi të Shijakut, pak kilometra larg Durrësit, ka tronditur të gjithë banorët e qytetit. Sipas banorëve, ata nuk njiheshin si persona problematikë në zonë. Ndonëse Policia ngriti fillimisht disa pista hetimi, ku nuk përjashtoheshin larja e hesapeve apo hakmarrja, ato u hodhën poshtë menjëherë pas arrestimit të 25-vjeçarit. Dëshmia e tij ishte tronditëse, pasi ai ishte parapërgatitur për të ekzekutuar dy persona të tjerë, ndërsa viktimat e tij ishin të rastësishme.

Dy të shënjestruarit: Ndërruam rrugë

DURRES- Indrit Kapedani dhe shtetasi me inicialet S.T., të cilët kanë qenë shënjestra e krimit, i kanë shpëtuar mrekullisht këtij atentati. Policia e Durrësit i ka marrë dje në pyetje për rreth tri orë, ku ata kanë treguar konfliktin që kishin pasur me shokun e tyre, Emiliano Temën. U nisëm për në shtëpi disa minuta më vonë, por ndryshuam plan dhe devijuam rrugën. Ne nuk e dinim se Tema kishte parapërgatitur vrasjen tonë, por diku në autostradë vendosëm dhe u futëm në një rrugë tjetër dytësore për të shkuar në banesat tona, gjë që na shpëtoi edhe jetën”. Kështu mësohet të jenë shprehur dy të rinjtë, sipas të cilëve, ka qenë rastësi edhe për ta devijimi i rrugës. Policia e Durrësit dhe ajo e Shijakut kanë bashkëpunuar në hetimin e kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi gjithë qytetin. Ndërsa mësohet se kanë marrë në ruajtje edhe dy familjet e personave të mësipërm. Ndonëse ishin banorë të një qyteti, viktimat nuk kishin asnjë marrëdhënie me autorin e vrasjes, por as me dy miqtë e këtij të fundit, të cilët i kanë shpëtuar mrekullisht një atentati të mundshëm.

FAMILJA

Policia e Durrësit ka marrë në mbrojtje familjen e autorit të vrasjes së dyfishtë dhe të plagosjes së dy personave të tjerë. Frika e një hakmarrjeje të mundshme nga ana e familjeve dhe të afërmve të viktimave ka bërë që policia të marrë në ruajtje familjen e Emiliano Temës. Burime të Policisë bënë të ditur se efektiva të saj janë stacionuar në banesën e familjes Tema, ndërsa ata nuk lejojnë asnjë person të dyshimtë t’i afrohet shtëpisë së tyre. “Për shkak të ndonjë hakmarrjeje të mundshme nga ana e të afërmve të viktimave, ne kemi marrë në ruajtje familjen e autorit të arrestuar”, bëri të ditur mbrëmë policia e Durrësit.

 

SHIJAK/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura