
KORÇE – I shpëton dënimit me burgim të përjetshëm 84-vjeçari Gaqo Dumka, i akuzuar për vrasjen horror të natës së 12 gushtit 2011. Gjykata e Faktit ka pranuar kërkesën e të pandehurit dhe avokatit të shtetit për gjykim të shkurtuar, duke i dhënë kështu mundësinë për të përfituar nga lehtësia e dënimit, që vjen si rezultat i zhvillimit të një procesi gjyqësor me procedurë të shkurtuar. I moshuari është sjellë në bankën e të akuzuarve, ndërsa gjendja e tij shëndetësore, pavarësisht moshës, është dukur relativisht e mirë. Prezent në sallën e gjyqit, vrasësi i Liljana Arapit ka folur para togave të zeza vetëm për të dhënë gjeneralitetet e tij, ndërsa ka qëndruar në heshtje, duke dëgjuar edhe vendimin e gjykatës për t’i mundësuar atij gjykimin e shkurtuar. Prokuroria ka kërkuar kohë për paraqitjen e pretencës para trios së gjyqtarëve dhe pas tërheqjes së trupit gjykues Dumka është rishoqëruar i prangosur prej sallës së gjyqit në automjetin, i cili e ka çuar drejt burgut të Drenovës, atje ku ai qëndron prej muajit gusht, kur ndodhi edhe ngjarja makabre. Gaqo Dumka është akuzuar për masakrimin e 42-vjeçares Liljana Arapi, krimi makabër i regjistruar në datën 12 gusht ku trupi me kokë, krahë e duar të prera i një gruaje u gjet në vendgrumbullimin e mbeturinave. Policia e Korçës arriti të gjejë të gjitha pjesët e trupit të viktimës të mbështjella në qese plastmase, përveç pjesës së kokës, e cila nuk u gjet asnjëherë e plotë. Masakra e madhe u krye në dhomën e ndenjjes, aty plaku 84-vjeçar kishte fshehur dhe armët e ftohta me të cilat e kishte paramenduar se do ta vriste viktimën me të cilën kishte lidhje intime. dh.d











