Pas 16 muajsh monedha europiane fiton pikë ndaj asaj amerikane.
Takimi i “Merkozi” mbi krizën e borxhit dhe unionin fiskal ka rezultuar me rritjen e euros në bursa kundrejt dollarit, për herë të parë pas 16 muajsh, por ekspertët paralajmërojnë sërish rrezik. Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Presidenti francez, Nikolas Sarkozi u takuan në Berlin dje, tri javë para samitit të BE-së, për të forcuar idenë e unionit fiskal, forcimit të euros, taksës së transaksionit dhe ndihmës së Greqisë. Ata kanë paralajmëruar Greqinë se nuk ka shumë kohë për të vendosur dhe duhet të nënshkruajë menjëherë marrëveshjen e fundit për paketën e dytë të ndihmës prej 130 miliardë eurosh. Të dy liderët janë zotuar se do të luftojnë që Greqia të mbetet në euro. Takimi i djeshëm shërbeu si një marrëveshje paraprake mes dy zërave më të fuqishëm të BE-së për masat që duhet të merren për mbijetesën dhe forcimin e monedhës së përbashkët europiane. Ata kanë rënë dakord për vendosjen e një takse transaksioni për të cilën ideja fillestare ishte të përfshinte të gjithë vendet e BE-së, por me kundërshtimin e fortë të Britanisë dhe kërcënimet e David Kameron se do të detyrohet të vendosë një tjetër veto në marrëveshjet e europiane, kancelarja Merkel u shpreh e gatshme që taksa të vendoset vetëm në eurozonë, ndërsa Sarkozi tha se nëse është e nevojshme do ta vendosë atë edhe vetëm në Francë. Të dy liderët ranë dakord për unionin fiskal dhe marrjen e masave ndëshkuese ndaj vendeve që tejkalojnë kufirin e borxhit. Takimi dhe marrëveshjet paraprake mes dy liderëve të lartë europianë sollën si pasojë rritjen e euros në tregje kundrejt dollarit, për herë të parë në 16 muaj, pasi sinjali i tyre kryesor ishte luftë kundër krizës. Të dhënat e fundit, sipas “Reuters”, kanë treguar një pozicionim të mirë të euros, por monedha mbetet e rrezikuar për shkak të frikës së vazhdueshme të krizës së borxhit dhe parashikimeve se eurozona po i drejtohet recensionit. Banka Qendrore Europiane po paraqet programet e saj vjetore mbi politikën monetare, por shumë ekonomistë nuk parashikojnë ndryshime në norma apo masa të reja likuiditeti pas huave super të lira me të cilat BQE mbushi tregjet bankare në dhjetor.
Fokusi i javës
Fokusi në eurozonë këtë javë pritet të vendoset në Itali dhe Spanjë, pasi këto vende këtë javë nisin për herë të parë për këtë vit shitjen e bonove të tyre, që konsiderohet një test besueshmërie. Shqetësimet mbi Italinë, ekonomia e tretë e eurozonës, po nxisin takimet e shpeshta mes Merkelit, Sarkozisë dhe Kryeministrit teknokrat italian, Mario Monti. Ata u takuan të tre në Paris javën e kaluar dhe të mërkurën ai do të vizitojë Gjermaninë për një tjetër takim me Merkel. Monti ka në program edhe një takim tjetër me Sarkozi dhe Merkel më 20 janar, tri ditë para takimit të ministrave të Financave dhe 10 ditë para samitit të ri të BE-së.











