Marrëveshja për doganat: Doganierët kosovarë, në Veri

Sep 14, 2011 | 11:21

Kryeministri Hashim Thaçi konfirmoi dje se pas 16 shtatorit, doganierë dhe policë kosovarë do të jenë të pranishëm në pikat doganore 1 dhe 31 për të kryer funksionin e tyre, bazuar në marrëveshjen me EULEX-in dhe KFOR-in. “Tani ka ardhur momenti i fillimit të zbatimit të marrëveshjes për vendosjen nën kontroll të pikave 1 dhe 31. Prandaj, më 16 shtator, të premten do të fillojë edhe operacionalizimi i plotë i planit të Republikës së Kosovës për vënien nën kontroll të këtyre pikave kufitare me rregulla strikte, si edhe në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës. “Të gjitha operacionet do të kryhen nën sovranitetin e Kosovës, pra nën angazhimin e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës me angazhimin e tyre operacional e teknik të EULEX-it dhe krijimin e ambientit të sigurisë nga NATO”, ka thënë Thaçi. Ai mes të tjerash ka bërë të ditur se të hyrat, që do të vijnë nga pikat kufitare 1 dhe 31 dhe qarkullimi i mallrave nga Serbia për në Kosovë, do të derdhen drejtpërdrejt në buxhetin e Kosovës dhe do të shpërndahen si të gjitha mjetet në buxhetin e konsoliduar të Republikës së Kosovës. Edhe në Bërnjak e edhe në Jarinjë më 16 shtator do të vendosen policët dhe doganierët e EULEX-it. Ata do të kenë komandantë të policisë, përkatësisht të Doganave të Kosovës. Kështu janë marrë vesh qeveria e Kosovës, KFOR-i, EULEX-i, Zyra e BE-së në Prishtinë dhe ambasadat e Kuintit (SHBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë e Itali). Marrëveshja parasheh që doganierët të vendosen në portën 31, ndërkaq në portën 1, në Jarinjë, përkohësisht do të ketë vetëm policë. Porta, që qe djegur nga grupe të dhunshme, nuk do të përdoret për kalime të mallrave, derisa në të të krijohen kushtet për punën e doganierëve. EULEX-i tashmë e ka njoftuar qeverinë e Serbisë për përmbajtjen e marrëveshjes dhe për qëllimin që më 16 shtator të vendosen doganierët në Veri, por Beogradi nuk është pajtuar. Zyrtarët e Beogradit janë shprehur se nuk mbajnë përgjegjësi për veprimet që do të ndërmarrin serbët lokalë, të cilët janë kundër “shtrirjes së shtetit të Kosovës në Veri”.

© Panorama.al

Te lidhura