Marrëveshja e Ohrit, Fule vizitë në Shkup

Sep 5, 2011 | 9:17

SHKUP- Eurokomisioneri për zgjerim i BE-së, Stefan Fule sot ka mbërritur në Shkup në kuadër të një vizite zyrtare me rastin e shënimit të 10 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit.

Ai është i ftuar nga zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, i cili është nikoqir i Konferencës “Decentralizimi dhe multikulturalizmi në Maqedoni”, që mbahet me rastin e përvjetorit të dhjetë të Marrëveshjes së Ohrit.  Në këtë konferencë sipas agjencise INA pritet pjesëmarrja e personaliteteve të tjera ndërkombëtare, pjesëmarrja e paralajmëruar e kryeministrit Nikolla Gruevski si dhe e liderëve politike, etj.

Fule në një intervistë për një të përditshme maqedonase ka deklaruar se BE nuk dëshiron të ketë problemin e emrit, por kërkon zgjidhjen.

“Jam i bindur se tani ka kushte për marrëveshje për kontestin e emrit dhe ato janë më të mira tani se kurdoherë që të jetë. Realiteti politik është se BE nuk do të bartë këtë problem, por ai së pari patjetër duhet të zgjidhet”, deklaroi evrokomisioneri për zgjerim, Stefan Fule në një intervistë për numrin e nesërm të gazetës ditore maqedonase “Nova Makedonija”. Fule ka deklaruar se vizita e tij në Maqedoni nuk do të jetë rutinë, por në kohën e duhur. Ai në intervistë ka shprehur vlerësime pozitive lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të qershorit.

© Panorama.al

Te lidhura