Mario Monti shpalos planin e kursimit, italianët në protesta

Nov 18, 2011 | 9:02

Ashtu siç pritej, Monti i mori votat në Senat, ku 281 deputetë votuan pro tij dhe 25 kundër, të Lega Nord, ndërsa sot do të votohet në Dhomën e Ulët në Parlament.  Formimi i qeverisë së unitetit në Itali kishte si synim zbatimin e një pakete me masa të ashpra kursimi për vitet në vazhdim, të cilat duhet të shpëtojnë Italinë nga kriza më e keqe e dekadave të fundit. Monti shpalosi dje programin e tij, duke theksuar mes të tjerash se “italianët po përballen me emergjencë serioze”. Sondazhet kanë treguar se Monti gëzon 75 për qind të mbështetjes, por në Milano dhe Torino ka pasur protesta që përfunduan me përleshje. “Vetëm nëse evitojmë të shihemi si hallka e dobët e Europës, mund të kontribuojmë në reformat europiane”, tha Monti, i cili u betua të mërkurën si kreu i qeverisë teknokrate, pas largimit të Silvio Berluskonit. Duke iu adresuar Senatit, Monti tha se Europa po jetonte në “momentet më të vështira që pas Luftës së Dytë Botërore” dhe se fundi i euros do të copëtonte tregun e përbashkët. Që në ditën e parë në detyrë, qeveria Monti u përball me kërcënimin e Berluskonit se ajo do të zgjaste derisa të dëshironte ai dhe mbështetësit e tij. Berluskoni, i cili ka ende shumicën e mbështetësve në Senat, u ka thënë deputetëve të tij se do të jetë ai që do të vendosë se cilin ligj të miratojë e cilin jo. Në Milano policia është përleshur me protestuesit që kërkonin mosmiratim të masave të ashpra të kursimit dhe vlerësim të ri politik nga qeveria e re e elitës financiare në Itali. Monti ka qenë rektor i universitetit të biznesit në Milano, “Boçoni”. Gjatë fjalimit të tij në senat, Monti paralajmëroi se italianët duhet të presin një paketë të re masash të reduktimit të deficitit. Ai tha se do të sigurojë zbatim të plotë të tyre, duke shtuar: “Ne do të kryejmë korrigjime të mëtejshme”. Masat me vlerë 80 miliardë euro janë miratuar në një ligj të ri të shtunën e kaluar. Por planet për të eliminuar deficitin e buxhetit deri në fund të 2013 janë devijuar nga një opinion i përgjithshëm se rritja ekonomike në Itali për vitin e ardhshëm nuk do të jetë ajo që ishte llogaritur më parë. Kjo bën që të mbeten deficit edhe 25 miliardë euro të tjera, dhe një prej sfidave të Montit është që këto para t’i nxjerrë në mënyrë që të mos jenë shumë të dhimbshme për publikun. Reformat e Montit përfshijnë një ndërhyrje të re në pensione dhe taksa.

© Panorama.al

Te lidhura