Duke qenë një aktore shumë e mirë, Feriali ka krijuar shumë role të bukura në drama dhe komedi. Kanë qenë pjesa më e madhe, karaktere që kujtohen, pavarësisht se Feriali ishte një vajzë trupvogël, gjë që nuk e pengonte të ishte e shkathët dhe e këndshme në skenë. E kujtoj atë në rolin e Pepitës, tek opereta “Era e Lirë”, sepse përveçse aktore, ishte dhe këngëtare e balerinë. Karakteret e roleve të saj kanë qenë si komikë dhe dramatikë. Tek “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, ku luante rolin e plakës Nicë, e gozhdoi spektatorin me dramaticitetin e saj. Ajo ishte aktore e madhe, nënë, bashkëshorte dhe shoqe e mirë për të gjitha ne. Unë e doja dhe ishim shoqe të mira me njëra-tjetrën. Kjo është arsye e mirë që më ka frymëzuar dhe për këtë i kam thurur edhe një bejte. Po ju shkëpus këtu vetëm pak vargje, sepse është e gjatë:
“E dashur Ferjal,
E kam nisur bejten qysh ca kohë më parë,
Por kam mbetur keq e jam në hall.
Më mundon pyetja çdo të thotë Ferial,
në cilën gjuhë ka kuptim vallë?
Hyra vërtet në siklet, pyeta e pyeta shumë vetë.
Dikush më tha se është emër afrikan,
në gjuhën arabe është kryezan.
Një tjetër më tha, mos ki gajle hiç,
do të pyes gjyshin se di mirë turqisht.
Epo ishalla i bie në të kësaj radhe,
përgjigjen e mora, i thonë erë e madhe.
Vrisja mendjen e mendoja unë,
të dyja përgjigjet nuk më hynë në punë.
Ferial kryezan emri yt,
por për bukuri je e furrës së dytë.
Dhe erë e madhe demek furtunë,
në këtë rast nuk jam dakord unë.
Ty në karakter erë madhe nuk të shkon,
ajo kur fryn dëme shkakton, prish mure, gardhe, çatia zbulon,
pemë e lisa përdhe rrëzon.
Kurse për ty mendoj unë vetë,
je erë e këndshme, erë e lehtë.
Je e dashur, e sjellshme e sherre nuk shkakton…
(vijon…)











