Groenlanda është pjesë e Danimarkës “për momentin”, tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ndërsa sugjeroi se po zhvillohen bisedime të rëndësishme midis Uashingtonit, Kopenhagenit dhe autoriteteve lokale në lidhje me rolin e ishullit Arktik në arkitekturën perëndimore të sigurisë.
Gjatë dëshmisë së tij para Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Rubio shmangu përgjigjen e drejtpërdrejtë të pyetjes nëse Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për sovranitet mbi territoret brenda NATO-s për t’i mbrojtur ato.
Në vend të kësaj, ai u përqendrua në konsultimet e vazhdueshme me Danimarkën dhe Groenlandën mbi çështjet e mbrojtjes kolektive.
“Ne jemi tashmë të angazhuar në diskutime me Groenlandën dhe Danimarkën në lidhje me përdorimin e saj për mbrojtjen kolektive të të gjithëve ne ”, tha ai.
Kreu i diplomacisë amerikane nënvizoi rëndësinë strategjike të ishullit, duke vënë në dukje se ai është një element kritik i sistemeve të mbrojtjes nga raketat.
“Mendoj se jemi në një pozicion të mirë tani”, tha ai, duke shtuar se pret “disa lajme të mira” nga bisedimet përkatëse.
© Panorama.al












