Maqedoni, opozita shqiptare, reagon kundër Topit

Mar 11, 2011 | 12:19

Partitë opozitare shqiptare në Maqedoni kanë shprehur keqardhje ndaj veprimit të presidentit Bamir Topi i cili dje gjatë qëndrimit në Shkup takoi vetëm liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Krerë të lartë të partive opozitare shqiptare jane shprehur per agjencine e lajmeve INA se janë treguar të përmbajtur për të dhënë kritika publike për gjestin e tillë të presidentit Topi, i cili me veprimet e tilla siç thuhet krijon kushte për tendenca të favorizime dhe keqpërdorime politike.

“Ne jemi të indinjuar nga një veprim i tillë dhe sigurisht se nuk duhen të ndodhin veprime të tilla, sepse kjo mund të keqpërdoret sidomos në një fazë kur gjendemi në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ne jemi të vetëdijshëm se Ahmeti këto takime në mënyrën e tij i shfrytëzon për qëllime politike dhe manipulime”, theksojnë nga PDSH për agjencinë e lajmeve INA.

Ndërkohë, edhe Demokracia e Re vlerëson nëpërmjet përfaqësuesve të saj se presidenti Topi duhet të sqarojë se përse nuk ka takuar edhe liderët e tjerë politik të opozitës shqiptare ,e cila në këtë periudhë ka mëse nevojë për një inkurajim politik duke pasur parasysh siç thuhet situatën e rëndë të shqiptarëve të krijuar nga qeverisja ku participon edhe BDI e Ali Ahmetit.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi se në takimin me presidentin Topi ka biseduar për për situatën në Maqedoni, Shqipëri, zgjedhjet e parakohshme dhe Marrëveshjen e Ohrit në Maqedoni.

© Panorama.al

Te lidhura