Mançesteri eliminon Shalken

May 5, 2011 | 12:18

Barcelona-Mançester Junajtid do të jetë ndeshja finalja e madhe e Kupës së Kampioneve për sezonin 2010/2011.”Djajtë e kuq” eliminuam pa vështirësi gjermanët e Shalkes, duke i mundur edhe në ndeshjen e dytë, 4-1. Junajtid hyri në fushë pa ndonjë presion të madh, pasi kishte rezultat pozitiv me dy gola epërsi që nga ndeshja e parë. Tre golat e ndeshjes u shënuan gjatë pjesës së parë. Pas disa sulmeve rresht, mesfushori i Mançesterit, Gibson, gjen një korridor të lirë deri te Valencia, ndërsa ky i fundit me lehtësi mposht portierin Nojer. Nuk vonon shumë dhe brenda 6 minutave të tjera pikërisht Gibson, dyfishon rezultatin në 2-0. Gjatë pjesës së parë, Shalke shkurtoi diferencën e golave me anë të Hurados, pas një gabimi të mbrojtësit Smalling. Por, deri këtu dhe Shalke nuk mundi të bëjë më shumë përballë “djajve” të Fergusonit. Në fraksionin e dytë të lojës, vendësit dominuan totalisht, duke shënuar edhe dy gola të tjerë me anë të Anderson. Kështu, Mançester dhe Barcelona do të takohen në finale për të dytën herë brenda dy vitesh. Në finalen e Romës, Barcelona fitoi 2-0. Ajo ka qenë e vetmja herë kur këto dy skuadra kanë diskutuar mes tyre një finale të këtij turneu. Ndeshja e fundit për këtë sezon në Champions League do të luhet më 28 maj në stadiumin e njohur të Londrës, “Uembli”. Sipas bastvënësve, më të kuotuarit janë blaugranat e Pep Guardiolës, por gjithsesi edhe “djajtë” e Fergusonit shihen si një skuadër cinike, me një mbrojtje të hekurt. Mjaft të kujtojmë se gjatë gjithë këtij sezoni Mançesteri nuk pësoi asnjë gol në ndeshjet që luajti jashtë fushës së vet, duke treguar një mbrojtje të hekurt, edhe pse në këtë repart kanë luajtur shumë mbrojtës të rinj. Në këtë kontest, Mesi do të ketë më shumë punë për t’i shënuar Junajtid në finalen e madhe. Duhet kujtuar se meqë ndeshja luhet në Angli, Mançesteri (është vendosur që më parë stadiumi i finales) do të ndihet si në fushën e vet, pasi do të ketë një përkrahje më të madhe nga fansat e vet. Pavarësisht të gjitha parashikimeve, një gjë është e sigurt: do jetë një finale spektakolare nga dy skuadra që prodhojnë futbollin më të mirë në Europë.

Mançester    4
Shalke    1

Shënues: Valencia 26′, Gibson 31′, Anderson 72′, 76′ / Jurado 35′
Kartonë të verdhë: Gibson, Skols, Anderson, Eskudero
Mançester J. (4-3-2-1): Van der Sar; Rafael (60′ Evra), Smolling, Evans, O’Shi; Gibson, Skols (73′ Fletçer), Anderson; Valencia, Nani; Berbatov (77′ Ouen). Trajner: Aleks Ferguson
Shalke (4-2-3-1): Nojer; Uçida, Hëvedes (70′ Huntelar), Metzelder, Eskudero; Papadopulos, Jurado; Farfan (75′ Matip), Baumjohan (46′ Edu), Draksler; Raul.
Trajner: Ralf Rangnik

© Panorama.al

Te lidhura