Mançester hakmerret ndaj Sitit

Jan 9, 2012 | 11:43

Junajtid i rikthehet supermacisë së qytetit të Mançesterit me një goditje të vetme. Mund 2-3 Sitin në “Etihad”, e eliminon nga “FA Cup” dhe hakmerret për poshtërimin 1-6 në “Old Trafford” tetorin e shkuar. E gjitha kjo mban firmën e Uejn Runit, që hedh poshtë spekulimet e medias për një largim të mundshëm me një dopietë dhe një paraqitje fantastike. Por milionerët e Mançinit nuk dalin të turpëruar nga sfida më e bukur e raundit të tretë të kupës, ndonëse rezultati i pjesës së parë ishte 0-3. Arrijnë ta hapin ndeshjen edhe me një lojtar më pak, pas nxjerrjes me të kuq të pamerituar të Kompanisë që në minutën e 12-të. Por i mohojnë dhe një 11-metërsh në fund të ndeshjes pas prekjes së topit me dorë në zonë nga Xhons. Ndeshja numër 162 mes skuadrave të Mançesterit zhvillohet nën sytë e Dejvid Bekhamit dhe familjes së tij, që me sa duket i ka sjellë fat ish-skuadrës. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 3-0, ku Runi humbi edhe një penallti. Por në pjesën e dytë, Siti kthehet në lojë. Në fillim një goditje dënimi në limitet e zonës, nga Kolarov përfundon në rrjetë. Më pas, një gabim i Skollsit në mesfushë, shfrytëzohet më së miri nga Aguero, i cili realizon golin e dytë. Por vetëm kaq, pasi Siti ka forca për më tej. Në takimet e tjera të luajtura dje, Çelsi shkatërroi 4-0 Portsmuthin, ndërsa Sanderlendi mundi 2-0 në tranfertë Peterboroun. Sfida tjetër mes Shefildit dhe Uest Hemit u fitua nga vendësit, 1-0. Sot luhet edhe takimi i fundit mes Arsenalit dhe Lidsit.

SKEDA
Siti-Junajtid  2-3

Golat: Kolarov 48′, Aguero 65’/ Runi 10′, 40′, Uelbek 30′
Kartonë të verdhë: Uelbek, Nani, Evra, Ferdinand
Karton i kuq: Kompani 12′
Man.Siti: Pantilimon, Riçards, Kompani, Leskot, Kolarov, Milner, De Jong, Xhonson (Zabaleta 46′), Silva (Saviç 46), Nasri (Hargrivs 82′), Aguero. Trajner: Roberto Mançini
Man.Junajtid: Lindegard, Smolling, Xhons, Ferdinand, Evra, Valencia, Kerrik, Gigs, Nani (Skolls 59′), Runi, Uelbek (Anderson 75′). Trajner: Aleks Ferguson

© Panorama.al

Te lidhura