Maliq, eksplozivi i kryebashkiakut, asnjë i dyshuar

May 20, 2011 | 10:20
Kryebashkiaku i Maliqit, në vendin ku u gjet lënda eksplozive

KORÇE – Policia e Korçës ende nuk ka një pistë konkrete hetimi, pas zbulimit të një pakoje me eksploziv në oborrin e banesës së kryebashkiakut të Maliqit, Gëzim Topçiu. Asnjë person i dyshuar nuk është vënë nën hetim për këtë ngjarje dhe për më tepër, nuk ka as të shoqëruar. “Aktualisht, po kryhet ekspertiza në Tiranë e lëndës eksplozive për të përcaktuar llojin e saj, si dhe shkakun nëse fitili i ndezur është shuar nga reshjet, apo jo”, bënë të ditur burime nga grupi i hetimit. Specialistët kanë hedhur dyshime lidhur me fitilin e shuar të pakos së eksplozivit. Sipas tyre, në rastet e një lënde shpërthyese, nuk ndikojnë shkaqet atmosferikë apo rrethanat që ai të shuhet, pasi është ndezur. Pikërisht, për të qartësuar këto, përparësi i është dhënë ekspertizës së lëndës. Ka edhe një element tjetër, për të cilën policia nuk arrin të krijojë një pistë konkrete të hetimeve të saj. Banesa dykatëshe e kryetarit të Bashkisë së Maliqit gjendet në anë të rrugës në këtë qytet dhe nuk mund të përcaktohet nëse pakoja me eksploziv është hedhur rastësisht nga rruga apo e vendosur qëllimisht atje. Vetë kryetari i bashkisë nuk ka dhënë asnjë dëshmi që të orientojë për persona të dyshuar mbi këtë ngjarje. Hetimet e deritanishme kanë përjashtuar çdo konflikt personal apo për shkaqe politike të kësaj ngjarjeje, ndonëse vetë kryebashkiaku deklaroi se kanë qenë motivet politike ato që çuan në hedhjen e pakos me eksploziv. g.a

© Panorama.al

Te lidhura