
Anëtari i Kryesisë së PS-së, Arben Malaj, shprehet se proceset përzgjedhëse nuk mund të garantojnë një President të pavarur dhe të balancuar. Sipas tij, kërkohen ndryshime kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit dhe për sistemin zgjedhor. Këto opinione Malaj i ka shprehur në adresën e tij në rrjetin social “Facebook”, në përgjigje të interesimit të një lexuesi të tij, që e konsideronte procesin e përzgjedhjes së kandidatit për President përmes komisionit përzgjedhës si lajmërim në gazetën “Çelësi” për vend pune. “Zgjedhja e Presidentit të vendit është një moment shumë i rëndësishëm. Aktualisht, ndarja dhe kontrolli i pushteteve në vendin tonë është përkeqësuar. Modeli jo vetëm hungarez, i përqendrimit të pushteteve te një parti apo te një individ rezulton kërcënues për demokracinë. Në këtë kontekst, sfida e PS-së është të maksimizojë gjithë përpjekjet dhe influencat pozitive që mbrojnë vendin nga maxhorancat dhe individët e gjithëpushtetshëm. Kjo nuk arrihet duke u fokusuar te format e proceseve përzgjedhëse, por te thelbi i rrezikut që kërcënon zhvillimet e ardhshme politike dhe ekonomike në vend”, shprehet Malaj në përgjigjen e tij. Malaj kërkon jo kompromise individuale, por reforma kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit dhe sistemin zgjedhor. “Po të mbajmë parasysh edhe dështimet e përsëritura në sfidat integruese të vendit, rëndësia e reformës zgjedhore, si dhe rëndësia e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, imponojnë zgjidhje që janë jo thjesht përzgjedhje individësh. Duhet të fokusohemi te thelbi i krizës dhe duhet ta zgjidhim krizën aktuale jo me kompromise apo llogari individuale që riprodhojnë kriza të vazhdueshme. Presidenti i ri duhet të angazhohet për zbutjen dhe zgjidhjen e krizës institucionale disavjeçare, duhet të nxisë dhe mbështesë ndarjen dhe kontrollin e pushteteve, si një nga parimet themelore të demokracive të zhvilluara, që bazohen tek institucione të forta dhe jo tek individë të gjithëpushtetshëm, deri edhe të përjetshëm. Këto sfida kërkojnë reforma, deri edhe kushtetuese në përzgjedhjen e Presidentit dhe për sistemin zgjedhor në vendin tonë”, shpreh Malaj.
Meidani: Jo President me konkurs

“Mungesa apo vonesa e kërkesës për një interpretim kushtetues të këtij paragrafi, nuk e justifikon as juridikisht, as politikisht, idenë e hedhur këto ditë mbi organizimin e një konkursi për përcaktimin e kandidatit për President Republike. Ndoshta nuk është një ide e hedhur nga politika, por është thjesht një “scoop” mediatik dite! Megjithatë, një ide, sa absurde e naive mund të rezultojë demoralizuese e shkatërrimtare për institucionin e kryetarit të shtetit, vetë autoritetin e tij në realizimin e detyrës”, u shpreh ish Presidenti Meidani.
Imami: Duhen 71 vota për tri raundet

Ministri i Mbrojtjes, njëherësh një nga anëtarët e Komisionit për hartimin e Kushtetutës, Arben Imami, tha se në tri raundet e para mjaftojnë 71 deputetë në sallë për të kryer votimin. “Qëllimi i ligjvënësit në këtë rast ka qenë që t’i japë stabilitet vendit dhe të përjashtojë çdo mundësi bojkoti. Politikisht dhe juridikisht PS është përjashtuar nga mundësia për bojkot sepse votimi bëhet me 71 deputetë. Kushtetuta ka një nen të posaçëm që votimi quhet i kryer në tri raundet e para edhe kur nuk ka kandidat”, tha Imami.
© Panorama.al











