Malaj: Kongresi i PS spastroi ata që kritikojnë kryetarin

Nov 23, 2011 | 9:29

Anëtari i Kryesisë së PS-së flet pas Kongresit. “Angazhimin për atë që duhet të bëjmë më mirë s’do ta shkëmbej me karrige në Kryesi”

Malaj ka komentuar edhe marrëveshjen e fundit PD-PS, e cilas sipas tij nuk duhej të synojë çimentimin e Ramës dhe Berishës në krye të dy partive të mëdha.
Zoti Malaj, PD e PS ranë dakord përmes një marrëveshjeje dypalëshe të bashkëpunojnë për të vënë në lëvizje disa nga reformat për të cilat ka nevojë vendi. Mendoni se pas refuzimit të ftesës për vend kandidat në BE, kjo marrëveshje mund të konsiderohet e vonuar?
Mendoj se në pikënisje duhet të shpresojmë që të jetë e qëndrueshme dhe e shëndetshme në funksion të përmirësimit të demokracisë në vendin tonë. Të gjitha marrëveshjet që arrihen, janë të rëndësishme. Kthimi i demokracisë parlamentare është primar për nga rëndësia. Zhgënjimi në rritje i publikut ndaj politikanëve po evidentohet kudo. Ligjet me shumicë të cilësuar duhet të miratohen pa vonesë, duke përfshirë edhe ekspertizën profesionale të opozitës. Plotësimi i 12 kushteve të BE-së për të përfituar statusin e vendit kandidat, nuk duhet kushtëzuar me asnjë parakusht. Përmbushja e tyre duhet të jetë imediate në raport me dhjetorin, kur pritet një rivlerësim mbështetës për kërkesën tonë.
Sigurisht ngrihen disa pikëpyetje.Pse kaq vonë? Pse pasi humbëm për të dytin vit radhazi statusin e vendit kandidat? Pse të njëjtët politikanë edhe shkaktarë të krizave dhe fitimtarë të zgjidhjeve të krizave?!
Duket se nuk është marrëveshje për shkak vizioni dhe përgjegjësie ndaj vendit, por pamundësi reale për të zgjatur krizën, pamundësi përballë zhgënjimit në rritje të shqiptarëve, shtimit të reagimit nga deputetët dhe presionit pozitiv të rritur nga ndërkombëtarët. Marrëveshjet për sfidat e vendit nuk duhet të jenë të vonuara dhe aq më pak të sforcuara.
Ka zëra brenda PS se zbatimi i kësaj marrëveshjeje, e cila për hir të së vërtetës nisi të zbatohet në mënyrë të rrufeshme, po konsiderohet thjesht si ngritje kartonësh, ndërkohë që kauzat e proklamuara këta dy vjet kanë qenë shumë parimore nga ana e PS?
E vërteta është që nuk ka pasur sinkronizim të veprimeve politike me ato publike në shërbim të reformave. Ndoshta përtej justifikimeve të kartonëve, duhet të mendohet me përparësi absolute axhenda politike, që dhjetori të mos jetë një shans i humbur drejt BE-së. Politika në shërbim të qytetarëve dhe progresit duhet të jetë detyrimi i parë dhe përgjegjësia më e madhe e çdo deputeti.
Në një kohë që për asnjë nga pikat e nxehta politike të deritanishme nuk ka një zgjidhje, si kompetencat e Presidentit dhe Kryeministrit, ndryshimet kushtetuese, përbërja e KQZ, transparenca e zgjedhjeve mbeten të pandryshuara, mendoni se garancia e kësaj marrëveshjeje mbetet e brishtë?
Sigurisht që është e brishtë. Por le të shpresojmë të mos jetë edhe e dëmshme, të mos konsiderohet si mundësi që çimenton dy kryetarët e partive të mëdha, apo vetëm dy parti të mëdha politike. Ndaj reformat duhet të jenë më të thella, më të plota. Duhet të nisin nga reduktimi i pushteteve absolute dhe abuzive në drejtimin e partive politike, në qeverisjen qendrore dhe vendore për të vijuar në një ekuilibër më të mirë të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve. Ata politikanë që mbijetojnë duke  kufizuar liritë e qytetarëve të tyre, jo thjesht lirinë për të folur, por lirinë për të përzgjedhur, ata politikanë që e ushqejnë mbijetesën e tyre politike tek populizmi dhe radikalizmi, nuk duhet të harrojnë ndryshimet e mëdha të vitit 1989. Atë kohë ne ishim të fundit në ndryshimin e sistemit politik. Tani nuk duhet të mbetemi sërish të fundit në ndryshimet pozitive që po konstatohen edhe në vendet përreth nesh. Zhgënjimi mbi politikanët po rritet, opinioni publik po i beson çdo ditë më pak politikanët, populizmi dhe radikalizmi i politikanëve po e dëmton më rëndë edhe vendin tonë. Këta politikanë duhet të presin krizat politike dhe ekonomike të përmasave të Greqisë e Italisë, për të kuptuar se mbijetesa individuale mbi krizën e vendit tënd është e përkohshme, por shumë e dëmshme. Liderët e plotfuqishëm dhe abuzivë me mandatet e tyre politike po bien një nga një. Aleati më radikal i Berluskonit, Bossi, i kërkoi atij që dështimin e drejtimit ekonomik të vendit të mos e zgjidhte duke futur duart më thellë në xhepat e pensionistëve italianë. 50 deputetë të PASOK-ut i kërkuan Papandreut të mos zvarriste zgjidhjen e krizës politike në vend, dhe kjo u konsiderua nga opinioni publik grek jo si rebelim i disa deputetëve, por ndërgjegjësim i tyre për sfidat e vendit dhe moment  demokratizimi për PASOK.
Një nga pikat e reformës zgjedhore të kërkuar nga aleatët e PS, siç është korrektimi i sistemit zgjedhor, mbetet jo e qartë për t’u futur në axhendën e komisionit për reformën. Cila mendoni se duhet të jetë sjellja e PS përballë aleatëve? Ka një kontradiktë mes zgjerimit të koalicionit zgjedhor me shumë parti të vogla dhe mbrojtjes së interesave të tyre në reformën zgjedhore?
Fillimisht duhet të kuptojmë se duhet të gjejmë një ekuilibër më të mirë në sistemin tonë politik midis “bezdisë së partive të vogla” dhe “arrogancës së partive” të mëdha. Në një vend ku mungon kultura e kompromiseve politike, në vendet ish-komuniste ku akoma sundon mentaliteti politik që fituesi i merr të gjitha, krijimi i një sistemi elektoral me lista të mbyllura dhe me synimin të reduktonte në maksimum numrin e partive politike në Parlamentin tonë, e ka dëmtuar sistemin tonë demokratik. PS duhet të iniciojë hapjen e listave të mbyllura, jo thjesht korrektimin e sistemit. Votuesit duhet t’i përzgjedhin përfaqësuesit e tyre, e jo kryetarët e partive. Kjo nuk duhet vonuar. Po rrezikohemi gjithnjë e më shumë nga kapja e partive politike. Ne duhet t’i mbështesim realisht aleatët tanë, t’i bëjmë pjesë të fitores së koalicionit tonë dhe jo t’i keqpërdorim me premtime individuale, duke i garantuar se ata do të jenë deputetë në lista të mbyllura. Kjo do të jetë edhe sfidë e partive të vogla. Mbetet për t’u testuar nëse këta politikanë do të kënaqen nga dhuratat elektorale, vende të sigurta në listat e zgjedhjeve për kryetarët e partive të vogla nga dy partitë e mëdha, apo do të unifikohen  dhe do të luftojnë për ta bërë më demokratik sistemin tonë politik dhe elektoral?! Këto janë momentet kur demokracia provohet, po ashtu edhe personaliteti e misioni i çdo politikani.
Dy vjet para zgjedhjeve të përgjithshme, cili duhet të jetë vizioni i PS për aleancat e ardhshme zgjedhore? Cila duhet të jetë qasja e saj ndaj LSI-së?
Është një debat i hershëm. Kur këtë tezë e analizonte Islami apo edhe kolegë të tjerë, ata konsideroheshin armiq të PS dhe të shitur te Berisha apo Meta. Ndërsa këtë gjë e thotë Rama, askush nuk duhet ta vërë në diskutim. Kjo është kriza reale që përjetojnë sot PD dhe PS. Në vend të analizave të thella, të plota dhe në dobi të votuesve tanë, kundërshtohet, sulmohet çdo diskutim brenda partive dhe në publik. Të mos debatojmë për të mos bërë gabime të tjera, të mos diskutojmë si t’i rrisim avantazhet tona, sepse gjithçka e di dhe do ta thotë vetëm kryetari. Pastaj na dalin kolegë që e gjejnë zgjidhjen e problemit te skeçi i hajdutit i Luftar Pajës. Që në Shqipëri ka shumë hajdutë me mandate publike kjo dihet, por që PS të jetë fshatari që i vjedhin gomarin sa herë që duan, kjo është tronditëse. PS nuk është në politikë për të treguar hajdutin sa herë që i vjedhin votat, por për të mos lejuar që hajdutët të qeverisin vendin në nivel vendor dhe qendror. LSI nuk duhet trajtuar si partia e interesave, për të kanë votuar edhe mijëra socialiste apo të majtë. Lidershipi aktual i PS-së ka treguar që kur s’i duhesh, të akuzon me lloj-lloj epitetesh deri banale dhe, kur i duhesh, qoftë edhe për mbijetesë personale, të dhuron shansin e dytë. Kjo mënyrë e politikëbërjes e ka dëmtuar rëndë kredibilitetin e politikës, i ka bërë koalicionet qeverisëse thjesht pazare mbijetese dhe e ka bërë mundësinë e të qenët në qeverisje një thes të madh që duhet të mbushesh sa më parë me përfitimet personale.
LSI duhet parë si forcë e majtë, duhet parë në mundësinë që përkeqësimi i saj i bën keq qeverisjes së vendit dhe aleancave të ardhshme, duhet parë si forcë politike që mund të rritet nga rritja e mundësive të bashkëpunimit dhe jo të tkurret e përkeqësohet nga zvogëlimi i mundësive.
Rrezikon marrëveshja e re PD-PS të na rikthejë në konsensusin e 2008 dhe efekteve negative të tij, kur kreu i PS u shpreh i penduar për disa gabime të bëra në atë kohë?
Ajo nuk ka qenë një marrëveshje spontane dhe ato nuk janë gabime nga padija. Ato kanë qenë në thelb modeli aktual i lidershipit të vendit që i ka pëlqyer Berishës edhe Ramës. Është modeli i liderit të fortë dhe me institucione sa më të dobëta. E liderëve që dinë gjithçka dhe vendosin vetë për gjithçka. Ky mentalitet fatkeqësisht e mban gjallë krizën politike në vend, aq sa edhe kur ata bëjnë marrëveshje, të gjithë kanë frikë se ajo mund të jetë vetëm në favor individual të të dyve dhe kundër të gjithëve. Është dëmtuar thelbësisht kredibiliteti i marrëveshjeve politike, e kjo ngre dyshime për bashkëpunimin politik për të cilin ka nevojë Shqipëria për të hyrë në BE.
Në Kongresin e 5 nëntorit, ju paraqitët disa propozime të cilat i kishit diskutuar më parë me të rinj në të gjithë vendin, por që nuk u përfshinë në ndonjë dokument. Dha Kongresi mesazhe të hapjes së PS-së drejt intelektualëve, vendosjen e kritereve të garës dhe konkurrencës e meritokracisë?
Ky është një proces e do të vazhdojë. Angazhimin qytetar për atë që duhet të bëjmë më mirë në PS dhe në vendin tonë, nuk do ta ndal dhe nuk do ta shkëmbej me asnjë karrige në Kryesi apo në forume të tjera partiake. Debati nuk është një grindje individësh brenda PS-së, por një mundësi bashkëpunimi midis politikës në shërbim të jetës së përditshme të çdo shqiptari. Vitet e fundit po krijohen aristokratët e rinj, jo me pushtet të trashëguar, por të vjedhur nga mandatet politike të votuesve shqiptarë. Po krijohen agallarët e rinj që sapo marrin një post politik, mbahen fort me kthetra pas tyre, edhe pse qeverisja e vendit bëhet më e keqe. Po rriten hajdutët e shpresave të shqiptarëve që me politikën bëjnë biznes personal fitimprurës dhe disa biznese që me fitimet e tyre imponojnë, blejnë, korruptojnë dhe nënshtrojnë politikën.
Kongresi i PS nuk synoi bashkimin në bazë të vlerave dhe meritokracisë, por thelloi spastrimin ndaj kujtdo që guxoi të kritikojë komandantin. U sulmua keq ish-Presidenti Meidani, modeli i politikanit plot përkushtim dhe integritet në mandatet politike. U përdor pjesa e parë e fjalimit për të etiketuar armik dhe në prehrin e Berishës këdo që kritikon komandantin, u hezitua të deklarohej mirënjohja për çdo socialist, duke filluar nga  themeluesit dhe modernizuesit e PS. U nxorën jashtë Asamblesë Kombëtare socialistet e përkushtuara, si: Saimira, Edlira, Eva, Raimonda. U përzgjodhën me “shumë kujdes” delegatët e Kongresit dhe nuk u zhvilluan zgjedhjet përpara Kongresit në disa nga qytetet kryesore të vendit. U përjashtuan nga çdo mundësi konkurrimi dhe promovimi të rinjtë që morën pjesë në takimet tona publike. Vazhdon mentaliteti i karrierës bazuar tek preferencat individuale dhe është dëmtuar meritokracia në PS. U pengua për 6 vjet vetorganizimi i rinisë dhe i gruas socialiste dhe vazhdohet të kontrollohet me komandim çdo promovim për të (pa)dëshiruarit. Këto janë problemet reale të PS-së, ndaj të cilave në qoftë se heshtim sot, do të kemi vështirësi për të fituar dhe për të mirëqeverisur në të ardhmen. Partitë e shokëve dhe miqve, partitë e liderëve populistë i dëmtuan rëndë socialistët hungarezë dhe ata spanjollë. PS duhet të mësojë nga gabimet e aleatëve të saj në të majtën progresiste europiane.
Aristir Lumezi

© Panorama.al

Te lidhura