Makinat, një muaj kohë për varrezat, ose i shet ushtria

Sep 27, 2011 | 11:07
Komiosioni i Ekonomise

Pas datës 7 tetor do të nisë puna për largimin e të gjitha varrezave të makinave pranë rrugëve nacionale. Do të jetë Ministria e Mjedisit, në bashkëpunim me atë të Mbrojtjes, të cilat do të bashkërendojnë punën. Akti normativ “Për heqjen e mjeteve motorike, të rimorkiove, si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit, që ndodhen pranë rrugëve kombëtare” kaloi dje në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, vetëm me votat e maxhorancës. Deputetët e opozitës kanë kërkuar rishikimin e aktit dhe u larguan nga salla, duke dhënë votën kundër. ”Nuk jemi dakord me miratimin e këtij akti në mënyrën siç paraqitet. Duhet të rishikohet, në mënyrë që të përcaktohet si do të veprohet me makina të cilat mund të jenë përdorur për qëllime kriminale dhe mund të hidhen në këto varreza, e nuk regjistrohen”, tha deputeti i partisë Socialiste, Eduard Shalsi. Sipas tij,  mënyra si është zgjedhur  që varrezat e makinave  të largohen nga rrugët është krejtësisht arbitrare dhe aspak serioze, dhe në fund nuk do të rezultojë efikase. “Rreth 25-30% të makinave, që figurojnë të regjistruara, janë dhe gjenden në varrezat e makinave , por a janë të identifikuara ato? Duhet të fillojë një proces identifikimi, është shumë me rëndësi sa makina janë të regjistruara, sa janë të paregjistruara. Ka qenë një problem shqetësues që makina që janë përdorura gjatë aktiviteteve kriminale gjenden në varrezat e makinave”, tha  Shalsi.  Zv. ministri i Mjedisit, Taulant Bino, shpjegoi rëndësinë e aktit normativ. Ai theksoi se nuk ka arbitraritet, përkundrazi, do të disiplinohet tregu. Sipas Binos, në Shqipëri ekzistojnë 290 vendgrumbullime të tilla, ku pjesa më e madhe janë pa leje mjedisore. “Të 290 vendndodhjet janë problematike për sa i takon cilësisë së mjedisit, por edhe sigurisë rrugore. Është menduar që duhet të largohen nga akset kryesore dhe akset e rrugëve kombëtare. Por, largimi do të bëhet sigurisht nëpërmjet kërkesave dhe nëpërmjet zbatimit të kushteve. Duhet të merret një leje nga Ministria”, tha Bino. Sipas tij, të 290 vendndodhjet janë problematike për sa i takon cilësisë së mjedisit, por edhe sigurisë rrugore. Është menduar që duhet të largohen nga akset kryesore dhe akset e rrugëve kombëtare. Pas kësaj deklarate, reagoi deputeti i opozitës Blendi Klosi. “Kemi kaq kohë që media, gazetat dhe televizionet shprehen që për një muaj do të pastrohet, ndërkohë që njerëzit duhet ta kenë të qartë se ky akt nuk e zgjidh problemin. Ju nuk keni menduar asgjë për infrastrukturën, ku do të shkojnë mbetjet e këtyre makinave si do të veprohet. Akti duhet të rishikohet. Sipas tij, kjo masë po ndërmerret   në një terr korruptiv, “Do ketë marrë ndonjëri ndonjë tokë dhe do të dalë me një pikë të madhe grumbullimi,  e po ja heq të vegjëlve që t’i marrë ndonjë i madh që ta licencojë Ministria juaj “, tha Klosi. Ndërkaq, zv.ministri Bino vijoi duke theksuar se autoritetet vendore dhe ato mjedisore, brenda afatit njëmujor që prej hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, varrezat duhet të largohen ndoshta edhe me ndërhyrjen e ministrive të tjera. Vetëm në Tiranë ndodhen 63 pika grumbullimi të tilla, për te cilat problem i madh eshte gjetja e vendeve ku do te zhvendosen. Nëse pronarët nuk pranojnë që të zhvendosin bizneset e tyre, atëherë përmes ushtrisë do të bëhet sekuestrimi i të gjithë mallit.

Akti normativ
Me anë të këtij akti normativ parashikohet ndalimi i krijimit të vendgrumbullimeve dhe grumbullimi i mjeteve motorike, rimorkiove, si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit, në një distancë jo më pak se 1 km nga akset e rrugëve kombëtare, të përcaktuara si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave, si dhe në vende të tjera të paautorizuara nga organet apo institucionet përkatëse, të ngarkuara me akte ligjore dhe nënligjore për këtë qëllim.

Debatet në Komision
Eduard Shalsi:
Nuk jemi dakord me miratimin e këtij akti, në mënyrën siç paraqitet. Mënyra e zgjedhur që  varrezat e makinave  të largohen nga rrugët është krejtësisht arbitrare dhe aspak serioze, dhe në fund nuk do të rezultojë efikase. Rreth 25-30% të makinave që figurojnë të regjistruara janë dhe gjenden në varrezat e makinave, por a janë të identifikuara ato? Duhet të fillojë një proces identifikimi, është shumë me rëndësi sa makina janë të regjistruara, sa janë të paregjistruara. Ka qenë një problem shqetësues që makina që janë përdorur gjatë aktiviteteve kriminale gjenden në varrezat e makinave.
Taulant Bino: Akti normativ do të sjellë disiplinimin e tregut dhe këtu nuk ka arbitraritet. Ne kemi në Shqipëri 290 vendgrumbullime të tilla, ku pjesa më e madhe janë pa leje mjedisore. Të 290 vendndodhjet janë problematike për sa i takon cilësisë së mjedisit, por edhe sigurisë rrugore. Është menduar që duhet të largohen nga akset kryesore dhe akset e rrugëve kombëtare. Por, largimi do të bëhet sigurisht nëpërmjet kërkesave dhe nëpërmjet zbatimit të kushteve. Duhet të merret një leje nga Ministria.
Blendi Klosi: Kemi kaq kohë që media, gazetat dhe televizionet shprehen që për një muaj do të pastrohet, ndërkohë që njerëzit duhet ta kenë të qartë se ky akt nuk e zgjidh problemin. Ju nuk keni menduar asgjë për infrastrukturën, ku do të shkojnë mbetjet e këtyre makinave si do të veprohet. Akti duhet të rishikohet. Kjo masë po ndërmerret në një terr korruptiv,  do ketë marrë ndonjëri ndonjë tokë dhe do të dalë me një pikë të madhe grumbullimi, e po ua heq të vegjëlve që t’i marrë ndonjë i madh e ta licencojë Ministria juaj.
Taulant Bino: Autoritetet vendore dhe ato mjedisore të marrin masa që brenda afatit njëmujor që prej hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, varrezat duhet të largohen ndoshta edhe me ndërhyrjen e ministrive të tjera. Nëse pronarët nuk pranojnë që të zhvendosin bizneset e tyre, atëherë përmes ushtrisë do të bëhet sekuestrimi i të gjithë mallit.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura