Raporti i AMF: Rritet sigurimi i jetës, ndikim nga liberalizimi i vizave
Në krahasim me një vit më parë, të ardhurat ranë rreth 12%
Liberalizimi i çmimeve për tregun e sigurimit të automjeteve që u bë vitin e shkuar duket se në fund i ka shërbyer rritjes së numrit të kontratave, por jo rritjes së primeve. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2011 tregojnë se primet në sigurimin e detyrueshëm motorik arritën rreth 3,7 miliardë lekë, çka, krahasuar me 2010-n, shënon një ulje me rreth 11.97 për qind. “Produkti ‘MTPL e brendshme’, gjatë vitit 2011 pati një ulje prej 24.55 përqindësh për primet e shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 6.01 përqindësh krahasuar me vitin 2010. Produkti ‘Sigurim Kufitar’, në vitin 2011 pati një rritje 1.56 për qind për primet e shkruara bruto dhe një ulje të numrit të kontratave 2.01 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, thuhet në analizën e AMF-së. Liberalizimi i çmimeve në tregun e sigurimeve ka sjellë më shumë interes për të siguruar makinën nga ana e qytetarëve, por më pak para për kompanitë e sigurimit që operojnë në këtë treg. E, ndërsa për sigurimin e detyrueshëm ka pasur ulje të primeve, për sigurimin vullnetar ka rezultuar krejt e kundërta. “Primet e sigurimit vullnetar në vitin 2011 arritën rreth 4,6 miliardë lekë, ose 16.56 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është shoqëruar me një dyfishim të numrit të kontratave. Vlen të theksojmë se rritja e konsiderueshme e numrit të kontratave në sigurimin vullnetar ka ardhur nga rritja e numrit të kontratave të sigurimit të shëndetit”, vlerëson Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Kjo rritje e kontratave të sigurimit të shëndetit, krahasuar me vitin 2010, i atribuohet lëvizjes së lirë të shqiptarëve pas heqjes së regjimit të vizave, që u bë në fund të vitit 2010. Gjatë vitit 2011 lëvizja e shtetasve shqiptarë në vendet e BE-së ka pësuar një rritje të konsiderueshme dhe çdo dalje jashtë vendit ka taksative sigurimin e shëndetit si kusht. Në total, sipas AMF-së, të ardhurat nga primet e sigurimit për vitin 2011 ishin 8.3 miliardë, me një rritje 1.8 për qind krahasuar me një vit më parë. “Gjatë vitit 2011, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,3 milionë, ose 77.46 për qind më shumë, krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar te sigurimet e jo-jetës, të cilat sollën 87.03 për qind të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e jetës me 12.75 për qind dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.22 për qind”, thuhet në analizën e vitit 2011 të bërë nga AMF-ja.
Më pak dëme të paguara për aksidentet
Por, nuk kanë rënë vetëm primet. Gjatë vitit 2011, sipas AMF-së, pati edhe një ulje për pagesat e dëmeve që bëhen nga kompanitë e sigurimeve. “Pagesat e dëmeve gjatë vitit 2011 u ulën me 5.52 për qind krahasuar me vitin 2010. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me afro 1,7 miliardë lekë, që përbëjnë 79.13 për qind të totalit të dëmeve të paguara bruto”, vlerëson Autoriteti.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











