Makina e Gjykatës së Lartë, super-aksident në Tiranë

Jan 27, 2012 | 13:24

Vendi ku ndodhi aksidenti

Policia: Mjeti me targa zyrtare tejkaloi shpejtësinë, goditi 3 makina e një motor

Shpejtësia tej normave, ndalohet shoferi i Shpresa Beçajt

Automjeti i kryetares të Gjykatës së Lartë shkaktoi dje një aksident të rëndë në Unazën e Tiranës, duke goditur katër makina dhe një motor. Makina e Gjykatës së Lartë, për shkak të shpejtësisë ka marrë përpara një motor dhe katër makina në Unazë pranë qendrës së Tiranës. Ngjarja rezultoi pa pasoja në njerëz, por vetëm me dëme materiale dhe bllokim të trafikut për gati 30 minuta. Shoferi i makinës zyrtare tip “Mercedez”, me targë TR 0273 Z, me të cilën lëviz kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, është shoqëruar në polici dhe ndaj tij ka nisur procedim penal në gjendje të lirë, pasi ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Aksidenti zinxhir, që fatmirësisht rezultoi pa pasoja të rënda, ndodhi pasditen e djeshme, rreth orës 15:50, në afërsi të pallateve “Shallvare”, vetëm pak metra larg semaforit, në kryqëzimin e Unazës me urën e vogël të ish-Bllokut mbi lumin e Lanës. Sipas burimeve nga Policia, shoferi i Shpresa Beçajt, Alfred Beqja, dyshohet se ka qenë duke lëvizur me shpejtësi tej normave të lejuara,

Makina e Gjykatës së Lartë pas aksidentit

afërsisht 120 kilometra në orë, me drejtim nga hotel “Dajti” drejt “Shallvareve”. Por veç shpejtësisë, ai ka shkaktuar plagosjen e një të riu, Eduard Përkapi, që lëvizte me motor para tij, në momentin e aksidentit. Të njëjtat burime konfirmuan se tri makinat që janë përfshirë në aksidentin zinxhir kanë qenë të ndaluara, për shkak se në momentin e aksidentit semafori ka qenë me dritë të kuqe. Makina zyrtare ndodhej e katërta në “radhën” e mjeteve që prisnin dritën jeshile për të lëvizur. Por shoferi i kryetares së Gjykatës së Lartë nuk ka arritur të frenojë për shkak të shpejtësisë së madhe dhe ka përplasur fillimisht motorin, që është shtyrë poshtë gomave të pasme të mjetit tip “Benz”, me targë TR 4525 S. Nga forca e madhe e përplasjes poshtë gomave të pasme të këtij mjeti është futur edhe parakolpi dhe e gjithë pjesa e përparme e makinës zyrtare. Ndërsa fatmirësisht drejtuesi i motorit, Eduard Përkapi, ka “fluturuar” në ajër, duke pësuar vetëm disa plagë jo shumë serioze për jetën.
SKEMA E AKSIDENTIT
Rreth orës 15:50 të ditës së djeshme, kur semafori ishte ndezur me ngjyrë të kuqe, në kryqëzimin e Unazës me urën e ish-Bllokut te “Shallvaret” në Tiranë, kanë qenë të ndaluara në radhë njëra pas tjetrës 3 makina. Makina e parë e ndaluar ishte tip “Volsvagen Passat”, pas saj një “Ford Fokus” dhe e treta në radhë një makinë tip “Benz”, me targë TR 4525 S. Pas makinës së tretë, ndodhej edhe një motor. Në kohën që tri makinat dhe motori prisnin ndezjen e dritës jeshile në semafor për të vazhduar rrugën, në drejtim të urës së Lanës pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, një makinë tip “Mercedez”, me targë TR 0273 Z, po lëvizte me shpejtësi në drejtim të tyre. Makina që më pas u mësua se ishte e Gjykatës së Lartë, në shërbim të kryetares Shpresa Beçaj, vinte nga hotel “Dajti” dhe ka qenë duke lëvizur me shpejtësi rreth 120 kilometra në orë. Për shkak të shpejtësisë së madhe, drejtuesi i saj, Alfred Beqja, nuk ka mundur të frenojë, në mënyrë që të shmangte aksidentin dhe në këtë mënyrë ka përplasur fillimisht motorin, që ndodhej pas makinës me targë TR 4525 S. Nga përplasja e fortë, makina e Gjykatës së Lartë është futur poshtë gomave të pasme të makinës që kishte para, ndërsa motori ka mbetur i izoluar mes hapësirës së dy mjeteve që ishin mbivendosur me njëra-tjetrën. Të dy makinat janë zhvendosur disa metra, duke u përplasur edhe me makinat e ndaluara në semafor, “Passat” dhe “Ford Fokus”. Fatmirësisht, aksidenti ka shkaktuar vetëm plagosjen e lehtë të drejtuesit të motorit, i cili ndodhet në Spitalin Ushtarak, jashtë rrezikut për jetën.

Polici
Një efektiv i Policisë Rrugore të Tiranës është aksidentuar mëngjesin e djeshëm, në krye të detyrës, teksa lëvizte me motor, pranë Urës Teknologjike në kryeqytet. Një makinë që lëvizte me shpejtësi nga shkolla “Hoteleri-Turizëm” drejt kryqëzimit të “21 Dhjetorit” ka përplasur motorin e efektivit rrugor. Mësohet se polici i plagosur, Bardhok Bushpepa, është transportuar nga kolegët e tij drejt Spitalit Ushtarak ku i është nënshtruar trajtimit mjekësor dhe mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Pak minuta pas aksidentit, policia ka mundur të identifikojë dhe ka shoqëruar drejtuesin e mjetit që shkaktoi aksidentin.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura