Opozita protestoi dje para godinës së KQZ-së në dy tubime të mbështetura dhe nga simpatizantë të ardhur nga qarku i Korçës.Paqësore dhe e shoqëruar me fjalime nga qytetarë dhe deputetë, tubimi i simpatizantëve të opozitës nuk shënoi asnjë incident me forcat e policisë, të cilat ishin edhe dje më të pakta në numër, por dhe më të relaksuara, pasi protestuesit nuk shfaqën tendenca konfrontimi. Përmes një qendre zëri para kordonit të policisë, që është vendosur në hyrje të godinës së KQZ, deputetët kanë kërkuar largimin e Arben Ristanit, por dhe të kryeministrit Berisha. I njohur për batutën e tij të veçantë, deputeti i qarkut të Korçës, Pandeli Majko, akuzoi kreun e KQZ-së se po kërkon vota, siç kërkonte gjenerali i ushtrisë së vdekur në librin e Ismail Kadaresë. “Jemi mbledhur sërish sot këtu për t’i thënë KQZ-së se ajo që po bën është e paligjshme, është antikushtetuese. Por z.Ristani ka kaq ditë e kaq net që përpiqet të bindë jo vetëm veten, por edhe opinionin publik shqiptar se është duke numëruar votat rikoshet, që u nisën për këtë kuti dhe përfunduan tek kutia tjetër. Por ne i themi kujdes, disa muaj më parë vratë katër njerëz të pafajshëm, baballarë, vëllezër, njerëz me familje dhe sot nuk mund të vrisni të ardhmen e opozitës. Të ardhmen e atyre që kanë votuar për kryeqytetin e Shqipërisë. Kryeqyteti ynë meriton më shumë sesa ky Komision Qendror Zgjedhjesh, që është kthyer bashkë me Ristanin si një gjeneral i ushtrisë së vdekur, që hap e mbyll kutitë duke kërkuar nderin e humbur, nderin e humbur të kolonelit Zampa”, u shpreh Majko. Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës, Besnik Bare, akuzoi kreun e KQZ-së se po tjetërson votat e qytetarëve. “Ristani sot është duke vjedhur votën e çdo shqiptari. Është duke futur duart në xhepat e çdo shqiptari. Kur kryetari i një institucioni kaq të rëndësishëm vjedh votat e shqiptarëve, a ka të drejtë çdo i huaj të mendojë për këtë vend se është një shtet mafioz… Por, populli kurrë nuk mund ta pranojë këtë, nuk mund të pranojë të qeveriset dhe të marrë vendimet për të një mafioz që vjedh vota në mes të ditës. Ky perceptim është dhe do jetë sa të jenë në krye këta njerëz që vjedhin. Ne nuk do lejojmë që këta mafiozë, që shesin e blejnë vendin për një karrige siç bëri Luli, që shiti një pjesë të bregdetit me bekimin e Sali Berishës sigurisht, të pengojnë të ardhmen e fëmijëve tanë, të ardhmen e këtij vendi”, u shpreh Bare. Ndërsa sekretari organizativ, Blendi Klosi, tha dje se Edi Rama ka fituar në Tiranë. “Në shumë drejtime ne jemi europianë dhe në këtë protestë që po bëjmë, ne dëshmojmë se jemi qytetarë të Europës. Jemi njerëz të cilët përpjekjet për kauzën, për të ardhmen e tyre janë të gatshëm të sakrifikojnë çdo gjë. Çdo gjë për të mirën e vendit të tyre”, u shpreh Klosi.
Hysi: S’prisja që Basha të dorëhiqej
Deputetja Vasilika Hysi tha dje gjatë fjalës së saj se nuk priste që kandidati demokrat të tërhiqej nga kandidimi. “Sot është dita e gjashtë e protestës dhe dëgjuam një përgjigje, një letër të shkruar me nxitim. Në fakt, nuk prisja që Luli të tërhiqej. Ka pasur shansin dhe detyrimin të jepte dorëheqjen, atëherë kur vodhi dhe vajti para drejtësisë, luajti me paratë tona dhe përfitoi nga imuniteti. Ka pasur shansin dhe detyrimin të jepte dorëheqjen atëherë kur shiti detin dhe Gjykata Kushtetuese e dënoi. Jo vetëm që nuk dha dorëheqjen, por me kokëfortësi tha se do ta negociojmë prapë marrëveshjen me Greqinë, pra do ta shesë Shqipërinë. E, megjithatë, erdhi në krye të Ministrisë së Brendshme. U vranë 4 qytetarë, 15 të plagosur me armë zjarri e, megjithatë, ai nuk pranoi të paktën moralisht të jepte dorëheqjen dhe të vihej përpara drejtësisë”, u shpreh Hysi.
Dokle: Çdo ditë në protestë
Deputeti Namik Dokle u kërkoi protestuesve të mblidhen dhe të protestojnë çdo ditë para KQZ. “Do vazhdojmë rrugën tonë për të mbrojtur votën e lirë deri në fund, edhe nesër dhe në ditët në vijim. Paturpësisht Berisha del sot e na flet për turizëm. Për cilët turistë na flet Berisha, për turistët që erdhën nga ana e anës të votojnë në Laprakë. Për cilët turistë, për ata që u regjistruan në garazhe, lavazhe dhe bodrume për të votuar kundër Edi Ramës”, u shpreh Dokle.
“Berisha nuk foli për shqiptarët”
Deputetja socialiste, OLta Xhaçka, duke komentuar deklaratën e kryeministrit Berisha për sezonin turistik, tha se ai nuk është realist. “Si shumë prej jush, edhe unë sot dëgjova me neveri deklaratën e Sali Berishës, kur paralajmëronte se këtu në Shqipëri, si perla e Europës dhe e gjithë planetit, do të vërshonin turistë pa fund. Por nuk dëgjova njëherë të fliste për hallet tona. Nuk e dëgjova një herë të fliste për bukën e fëmijëve, që shumë prej jush nuk kanë t’jua japin. Nuk e dëgjova një herë të fliste për arsimin që shumë fëmijë nuk e kryejnë dot sot, prej varfërisë të tejskajshme. Nuk e dëgjova të fliste për kujdesin shëndetësor që shumë njerëz nuk arrijnë të marrin”, u shpreh Xhaçka.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











