LUSHNJE – Përleshja me thika në lokal në një fshat të Lushnjës përfundoi me plagosjen e tre vëllezërve, njëri prej të cilëve oficer policie. Policia e Lushnjës bëri të ditur se autorët e ngjarjes, shtetasit Festim Mehmeti nga fshati Mbreshtan i rrethit Berat, Isa Mehmeti dhe Sajmir Arapi nga fshati Bicakaj i Lushnjës, kanë qenë duke pirë në një nga lokalet e fshatit Skilaj, rreth orës 18:30 të së mërkurës. Në të njëjtin ambient kanë qenë edhe tre vëllezërit Artan Bali, oficer i Policisë Kufitare, Çlirim Bali dhe Destan Bali, banorë të fshatit Zgjanë të rrethit Lushnjë. Paraprakisht, dyshohet se shkak i konfliktit ka qenë konsumi i tepërt i alkoolit nga ana e autorëve. Në një moment, ata u kanë kërkuar vëllezërve që ndodheshin në një tavolinë ngjitur, që të mos i shihnin ata. Pas fyerjeve të ndërsjella, ngjarja precipitoi me përdorimin e thikave. Pas sinjalizimit të dhënë nga klientët e tjerë të lokalit, në vendin e ngjarjes mbërriti policia e Lushnjës. Blutë arrestuan autorin e plagosjes, shtetasit Festim Mehmeti, ndërkohë që shpallën në kërkim edhe dy persona të tjerë, të cilët dyshohen si pjesëmarrës në krim. “Është arrestuar 27-vjeçari Festim Mehmeti nga fshati Mbreshtan i Beratit, ndërsa janë shpallur në kërkim vëllai i tij Isa Mehmeti, 25 vjeç dhe Sajmir Arapi. Tre personat, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me thikë oficerin e policisë kufitare, Artan Bali dhe dy vëllezërit e tij, shtetasit Çlirim Bali dhe Destan Bali”, bëri të ditur Policia e Lushnjës. Mësohet se 27-vjeçarit Festim Mehmeti në momentin e arrestimit iu gjet edhe një armë zjarri tip “Pistoletë”, të cilën ia kishte marrë gjatë konfliktit oficerit të policisë. Sipas informacioneve spitalore, tre të plagosurit Bali i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale në spitalin e Lushnjës dhe aktualisht gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia po vijon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe kapjen e dy autorëve të tjerë të shpallur në kërkim. m.r











