Policia Tiranës ka publikuar një njoftim zyrtar lidhur me automjetin tip “Porsche” që u gjet sot dhe që dyshohet si i përket autorit/ëve të vrasjes së Lulzim Vishës.

Uniformat blu bëjnë me dije se makina e autorit/ëve u gjet në fshatin Zgafnor, në Zall-Herr.
Nga këqyrja e automjetit, në brendësi të tij, është gjetur një armë e gjatë zjarri, e dyshuar si arma e përdorur nga autori/ët.
Gjithashtu mësohet se pas verifikimeve për targat e automjetit ka rezultuar se targat janë të vjedhura që në muajin Prill 2023, në Kamëz.
Ndërkohë që vijon puna intensive nga grupi i posaçëm hetimor për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve si dhe për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
NJOFTIMI I POLICISE
Tiranë/Informacion shtesë.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më parë për vrasjen e shtetasit L. V., ju informojmë se: Në fshatin Zgafnor, në Zall-Herr, gjatë kontrollit të territorit nga shërbimet e Policisë është konstatuar i djegur një automjet tip “Porsche” i dyshuar i përdorur nga autori/ët e ngjarjes.
Nga këqyrja e automjetit, në brendësi të tij, është gjetur një armë e gjatë zjarri, e dyshuar si arma e përdorur nga autori/ët.
Gjatë verifikimeve për targat e automjetit ka rezultuar se targat janë të vjedhura që në muajin Prill 2023, në Kamëz. Vijon puna intensive nga grupi i posaçëm hetimor për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve si dhe për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.”
Si ndodhi vrasja
Autorët mësohet se i kanë bërë pritë viktimës duke e qëlluar me 12 plumba teksa ndodhej në mjetin e punës. Viktima, baba i dy fëmijëve, njihej si problematik dhe është proceduar disa herë penalisht.
Policia nuk po heton vetëm pistën e hasmërisë, por edhe konflikte të tjera që Lulzim Visha mund të ketë pasur.
Sipas dëshmive paraprake të marra nga banorët, nuk janë dëgjuar të shtëna armësh. Ndaj janë ngritur dyshime se vrasësit mund të ketë përdorur një armë me silenciator.
Në makinën ku ndodhej viktima janë gjetur 12 gëzhoja plumbash.
Gjetja e trupit të Lulzim Vishës
Trupi i tij i pajetë u gjet brenda makinës rreth orës 07:40 të mëngjesit të sotëm (24 Janar).
Policia ka sekuestruar kamerat në zonë, pasi mund të kenë regjistruar momentin e krimit.
“Më datë 24.01.2025, rreth orës 07:40, në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner, është konstatuar pa shenja jete, brenda një automjeti, shtetasi L. V., 48 vjeç, banues në Kamëz, i dyshuar i vrarë me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje. Ndërkohë grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, informuan blutë e Tiranës.
Kush është vëllai i viktimës
Mësohet se viktima është vëllai i Besnik Vishës, i cili në vitin 1997 ka vrarë me armë zjarri shtetasin Refik Domi.
Krimi ndodhi për motive të dobëta në afërsi të Universitetit Bujqësor Tiranë.
Në 29 qershor 2001, Gjykata e Tiranës e dënoi me 12 vite burg, për veprat penale të “Vrasjes me dashje” dhe të “Armëmbajtjes pa leje”.
© Panorama.al











