Një rikthim ndryshe i Luiz Ejllit në muzikë. Pas baladës “Sa e shite zemrën”, ku në duet me Juliana Pashën fitoi kupën e Festivalit “Kënga Magjike 2010”, Ejlli vjen me një këngë të re ritmike. Këngëtari i njohur nga Shkodra, Luis Ejlli, ka publikuar në kanalet muzikore këto ditë këngën e re me titull “Iluzion”, klipi i së cilës është realizuar nga produksioni kosovar “Pulla”. Në klipin e sofistikuar me fluturime avionësh, autostrada dhe makina me super shpejtësi, Luizi i këndon një aventure dashurie, që në fund të fundit ka qenë një iluzion. Këngëtari, edhe pse shumë i ri në moshë, është prezantuar gjithmonë me ambicie në karrierën artistike si këngëtar. Pas fitores së spektaklit “Ethet e së premtes mbrëma”, Ejlli më pas ka fituar disa çmime në festivale. Ishte pikërisht shpallja e tij fitues në Festivalin e Radio Televizionit Publik Shqiptar pak vite më parë, që më pas ai përfaqësoi Shqipërinë në “Eurovision Song Contest”.











