
Operacioni i koduar “Eskorta” bllokoi 130 kilogramë kanabis
Zbardhet “lufta” me armë mes policisë dhe një 21-vjeçari, që nuk iu bind urdhrit “ndal” gjatë një operacioni antidrogë. Bëhet fjalë për operacionin policor “Eskorta”, i ndërmarrë më 26 tetor pranë Aeroportit të Rinasit, prej të cilit u arrestuan 6 persona, si edhe u bllokua një sasi prej 130 kilogramësh lëndë narkotike kanabis sativa. Rreth orës 17:30 të kësaj dite, tri automjete ndaluan në një rrugë pranë aeroportit, ku sipas Policisë do të shkëmbehej sasia e lëndës narkotike. Ndërhyrja e policisë ndaloi dy nga automjetet, ndërsa i treti, i drejtuar nga Oligert Musta, ku ishte bima narkotike, u largua. Dinamika e mëtejshme, nga ndjekja e tij deri tek përballja me armë me punonjësit e rendit, zbardhet në vendimet e masave të sigurisë ndaj 6 të rinjve, dhënë pak ditë më parë nga Gjykata e Tiranës. “Në një moment u bë ndërhyrja nga forcat e Policisë së Shtetit me qëllim ndalimin e tri automjeteve, ku për automjetet ‘Benx 190’ dhe ‘Reno Clio’ u bë i mundur ndalimi, ndërsa automjeti i cili transportonte bimën narkotike u largua në drejtim të fshatit Ndërmjetas. Punonjësit e Policisë u vunë në ndjekje të këtij automjeti me qëllim për ta ndaluar. Në afërsi të një pylli, në të cilin bëhet bashkimi i lumit të Tiranës me lumin Torkuz, drejtuesi i automjetit ka nxjerrë nga xhami i automjetit një pistoletë dhe ka filluar të qëllojë në drejtim te punonjësve të Policisë. Pas kësaj, menjëherë punonjësit e Policisë kanë filluar të kundërpërgjigjen me armë zjarri në drejtim të drejtuesit të automjetit me qëllim për t’u vetëmbrojtur. Në një moment kur edhe automjeti nuk kishte rrugë për t’u larguar, drejtuesi i këtij mjeti i cili është shtetasi Oligert Musta, ka dalë nga automjeti me një pistolete në dorë dhe është nisur për t’u larguar përmes pyllit. Sapo ka bërë disa metra, Oligert Musta u rrëzua në tokë pasi ishte plagosur në këmbë. Menjëherë nga forcat e Policisë u bë kapja e këtij personi dhe më pas është dërguar në Spitalin Ushtarak për t’i dhënë ndihmën e parë. Nga këqyrja e automjetit në pjesën e brendshme, u gjetën 19 thasë të zinj plastmase brenda të cilëve gjenden thasë me fije najloni me ngjyrë të bardhë, të mbushur me lëndë bimore të dyshuar narkotike, me erë dhe karakteristika si ato të kanabis sattiva, thuhej në një nga vendimet e masës së sigurisë.
Operacioni antidrogë
Operacioni policor i koduar “Eskorta” u përmbyll me prangosjen e gjashtë personave: Oligert Musta, 21 vjeç, Gazmir Saka, 23 vjeç, Arjan Saka, 21 vjeç, Klodian Lami, 21 vjeç, Altin Saka, 32 vjeç dhe Muharrem Zalla, 36 vjeç. Pas arrestimit dhe paraqitjes së tyre për caktimin e masës së sigurisë, Gjykata e Tiranës caktoi “arrest me burg” për Mustën, si edhe të dyshuarit Gazmir e Arjan Saka. Ndërsa për Altin Sakën, Klodian Lamin dhe Muharrem Zallën, Gjykata vendosi masën “detyrim për paraqitje”.











