Babai i 4 femijeve: Luftë me grabitësit, vritet polici

Sep 2, 2011 | 9:28

Një efektiv i policisë së Peqinit është vrarë mbrëmë në mesnatë në Pajovë të Peqinit, në një përplasje me armë me disa grabitës, njëri prej të cilëve gjeti vdekjen në përplasje me forcat e rendit.Oficeri i grupit të gatshëm Sabit Caka, 51 vjeç, baba i katër fëmijëve, gjeti vdekjen nga plagët e marra pas shkëmbimit të zjarrit të ndodhur në komunën Pajovë. Policia ndërhyri në këtë zonë rreth mesnatës, pasi kishte marrë informacion se disa persona po tentonin të vidhnin transformatorin në kabinën elektrike të zonës, komuna Pajovë në Peqin. Menjëherë drejt vendit të ngjarjes është nisur një grup i gatshëm i policisë. Gjatë kohës që efektivat blu po shkonin në vendngjarje, ende pa arritur tek kabina elektrike, forcat e rendit kanë ndeshur në rezistencë të armatosur. Nga të dhënat e vendit të ngjarjes dyshohet se kanë qenë tre persona, por ende nuk ka konfirmim zyrtar. Grabitësit kanë qëlluar mbi policinë me breshëri arme “Kallashnikov”. Pas konfirmimit se të shtënat vinin nga personat që ishin raportuar në tentativën për grabitjen e transformatorit, policia është kundërpërgjigjur. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vdekur efektivi i grupit të gatshëm, Sabit Caka, banues në Peqin. Nga ana tjetër, policët e tjerë të grupit të gatshëm kanë vazhduar betejën me keqbërësit dhe kanë arritur të vrasin njërin prej tyre, i cili është identifikuar me emrin Luan Tabaku, 40 vjeç, nga fshati Shezë i Peqinit, i cili dyshohet se vrau policin gjatë të shtënave. Në vendin e ngjarjes u gjet makina e tij tip Fiat, ndërsa edhe dy bashkëpunëtorët në tentativën e grabitjes janë shpallur në kërkim.
Policët e vrarë
Ndonëse vitet e fundit ka pasur një rënie të ndjeshme, numri i efektivave të Policisë së Shtetit të vrarë në detyrë është plot 250 në dhjetëvjeçarin e fundit. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 250 efektiva policie rezultojnë të vrarë deri në vitin 2010. Këta efektiva janë vrarë në detyrë dhe më pas janë trajtuar me status nga Policia e Shtetit. Numri më i lartë i vrasjeve të policëve ka ndodhur në periudhën 1997. Por më pas, edhe në vitin 2000 kur janë ekzekutuar në detyrë ish-drejtori i policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari, apo polici Gjon Paçuku që u vra në qershor po në vitit 2000. Në gusht 2003 është vrarë një eksponent i lartë i policisë, komisar Gani Malushi. Ndërkohë, një tjetër ngjarje e rëndë ka qenë vrasja e dy policëve në Kukës. Shkëlzen Dobrushi e Ramazan Hila u vranë më 24 mars 2009 në fshatin Shënmri, ndërsa në gusht të po atij viti ranë në krye të detyrës katër policë në Durrës, në aksionin për kapjen e Dritan Dajtit. Më 7 gusht të vitit 2009, Fatos Xhani, shefi i Forcave të Operacioneve Speciale, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Kastriot Feska, u vranë në operacion për kapjen e të shumëkërkuarit. Vrasja e fundit e një efektivi policie ka ndodhur në Malësinë e Madhe. Kolë Ndreshaj, 41 vjeç, baba i dy fëmijëve, lindur dhe banues në Shkodër, është ekzekutuar në detyrë më 29 gusht 2010.

Rasti i fundit në Reç, Malësi e Madhe

Efektivi i policisë rrugore, Kolë Ndreshaj, është i fundit polic i vrarë në Shqipëri, para ngjarjes së ndodhur mbrëmë pas mesnate në Peqin. Oficeri rrugor Ndreshaj u ekzekutua në orët e para të datës 29 gusht 2010. Ai u ekzekutua në krye të detyrës, në fshatin Reç të Malësisë së Madhe. Sipas Policisë, vrasja ndodhi rreth orës 02:20 minuta të datës 29 gusht, në vendin e quajtur “Foletat e Marshenjt”, në fshatin Reç, komuna Shkrel, e rrethit Malësi e Madhe. Inspektor Kolë Ndreshaj, 41 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, ishte punonjës i policisë së njësisë rajonale të qarkullimit rrugor Shkodër. Ai ka qenë i veshur me uniformën e policit rrugor dhe me motor, teksa po kthehej nga shërbimi kur të paktën dy persona i kanë zënë pritë dhe e kanë qëlluar me breshëri arme.

 

Peqin/ Miranda sadiku

© Panorama.al

Te lidhura