“Lufta kundër korrupsionit nuk konsiderohet e përmbushur me sukses”- Zgjedhja e Klodian Brahos në krye të SPAK, Rama: Uroj që ta çojë Prokurorinë e Posaçme në një nivel tjetër

Dec 14, 2025 | 10:02

Kryeministri Edi Rama ka uruar Klodian Brahon për zgjedhjen e tij si kryeprokuror i SPAK, pas largimit të Altin Dumanit, të cilin Rama e vlerësoi për ngritjen e institucionit.

klodian braho edi rama

Kreu i qeverisë shtoi se roli i ri i Brahos do të jetë kyç për të çuar SPAK-un në trevjeçarin e fundit të ciklit nëntëvjeçar në një nivel më të lartë profesional, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Rama theksoi se lufta kundër korrupsionit nuk konsiderohet e përmbushur me sukses, ndaj kërkoi nga Braho që ta çojë SPAK në një tjetër nivel.

“Këtë javë SPAK-u zgjodhi drejtuesin e ri, i cili do të pasojë Altin Dumanin, kryeprokurorin që e ngriti institucionin në një nivel tjeter, duke e kthyer, falë forcës së shembullit të tij në radhe të parë, në një fakt konkret, historik, do të thoja pa ekzagjerim, atë që dukej një parrullë e parealizueshme, kur unë e përsërisja gjatë kohës së betejës për të kaluar reformën në drejtësi dhe më pas në rrugën e implementimit të saj, një drejtësi që nuk sheh majtas e djathtas, po vetëm drejt.

Për këtë i përcjell edhe njëherë Altin Dumanit shprehjen e respektit tim, si edhe i uroj çdo të mirë në vijim.

Ndërkohë që, kryeprokurorit të ri Klodian Braho, i uroj ta çojë SPAK-un në këtë trevjeçar të fundit të ciklit nëntëvjeçar, në një nivel tjetër për sa i takon profesionalizmit në luftën kundër krimit të organizuar, e sidomos në luftën kundër korrupsionit, e cila nuk mund të konsiderohet e përmbushur plotësisht me sukses, nga ana e atij institucioni, nëse maskohet me statistika të nxjerra nga “thesi i madh” siç quhet neni i mjegullt i shpërdorimit të detyrës – për të cilin sapo ka dalë edhe një direktive e re e BE-se – pikërisht për të reflektuar mbi shqetësime që nuk janë vetëm tonat  apo me lojra mediatike te llojit Big Brother, me transkripte telefonash te nxjerra në shkelje të ligjit nga dosjet hetimore, për të cilat po ashtu BE-ja ka korniza shumë strikte ligjore.

Kam shumë besim se eksperienca e gjashtë viteve, arritjet e padiskutueshme, si edhe mundësisht modestia e domosdoshme për të parë me sy vetëkritik punën e deritanishme, mund ta çojnë SPAK-un në nivelin ku duhet të jetë tre vjet nga sot”, tha Rama.

 

© Panorama.al

Te lidhura