LSI: Rama doli në opozitë në Tiranë, do përsëritjen e zgjedhjeve

May 30, 2011 | 11:30

Lëvizja Socialiste për Integrim i kërkon Ramës të pranojë humbjen në Tiranë dhe t’i drejtohet gjykatës, nëse ka kontestime për procesin. Në një konferencë për shtyp, sekretari i çështjeve ligjore në LSI, Ylli Manjani, e ka cilësuar procesin e numërimit të votave brenda të gjitha standardeve dhe se fletët e votimit, sipas tij, kanë pasur të gjitha elementët e sigurisë. “Fleta e votimit është një dokument zyrtar shumë i mbrojtur. Përveç elementëve të sigurisë që parashikon Kodi Zgjedhor për këto zgjedhje, me kërkesë të posaçme të Partisë Socialiste, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi edhe elementë të tjerë shtesë sigurie, sipas së cilës kryetari dhe nënkryetarja e KQZ-së kishin të drejtë të vendosin një shenjë të fshehtë në fletën e votimit. Pra, zonja Subashi, përfaqësuese e deklaruar tashmë e zotit Rama në KQZ, ka vendosur një shenjë të fshehtë, të cilën nuk e kontestoi gjatë gjithë procesit të numërimit. Ne dëshirojmë ta ftojmë zotin Rama dhe të tjerët rreth tij të qetësohen, të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë, të pranojnë faktin se kryetari i PS-së doli për herë të parë në opozitë dhe t’i kthehen jetës institucionale në vend”, u shpreh Manjani. Sipas tij, pretendimet e opozitës për manipulim të shifrave janë të pabaza dhe qëllim të vetëm kanë ripërsëritjen e zgjedhjeve.

© Panorama.al

Te lidhura