Opozita kërkon projektligj të ri për PPP-të në ekonomi, me qëllim goditjen e korrupsionit dhe transparencën e prokurimeve.
Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka depozituar sot në Kuvend amendamentet për projektligjin “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”.
Ligjvënësi shprehet se ky projektligj do ndikojë direkt në ekonomi, transparencë, konkurrencë dhe klimën e biznesit në vend. Mazhoranca e kishte refuzuar sugjerimin e opozitës në Komisionin e Ekonomisë ditën e djeshme dhe vetë Bozdo e konfirmon me një postim në rrjetin social Facebook, ku ka hedhur edhe dokumentin e projektligjit që ka dorëzuar.
“Sot depozitova në Kuvend, amendimet për projektligjin “Për Koncensionet dhe Partneritetin Publik Privat”, i cili është një ndër aktet më të rëndësishme për sektorin ekonomik, konkurrencën dhe klimën e biznesit në vend. Projektligji u diskutua dje në Komisionin e Ekonomisë, Punësimit dhe Financave, ku vërejtjet dhe propozimet e Opozitës u refuzuan tërësisht!”, shprehet ai.
Bozdo kërkon që analizat e tipit “Vlerë për Para”, një mekanizëm kyç që vlerëson nëse një projekt duhet të jepet apo jo me koncension, të bëhen pjesë e detyrueshme e procesit dhe të jenë publike.
Ai propozon gjithashtu ndalimin e koncesioneve dhe PPP-ve që vijnë nga sektori privat, një procedurë që shpesh është kritikuar për favorizime dhe mungesë gare të ndershme.
Paketa përfshin edhe dispozita që synojnë forcimin e llogaridhënies së zyrtarëve dhe kufizimin e hapësirave për korrupsion.
“Këto ndryshime janë të nevojshme për të garantuar një qeverisje të përgjegjshme dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve në mënyrën se si menaxhohen projektet publike”, nënvizon deputeti demokrat.
Postimi i plotë i Eno Bozdos:
“Sot depozitova në Kuvend, amendimet për projektligjin “Për Koncensionet dhe Partneritetin Publik Privat”, i cili është një ndër aktet më të rëndësishme për sektorin ekonomik, konkurrencën dhe klimën e biznesit në vend.
Projektligji u diskutua dje në Komisionin e Ekonomisë, Punësimit dhe Financave, ku vërejtjet dhe propozimet e Opozitës u refuzuan tërësisht!
Amendimet synojnë:
- Të vendosin analizën “Vlerë për Para” (Value for Money), një koncept kryesor ky i analizës për dhënien apo jo të Koncensionit/PPP, si një mekanizëm i cili përcakton me transparencë dhe nuk mund të ndikohet dhe as korruptohet, si dhe detyrimin që ky studim të jetë publik;
- Ndalimin e Koncensioneve/PPP që vijnë si kërkesë e pa kërkuar, nga sektori privat;
- Rritjen e trasparencës kundrejt publikut në detyrimin për konsultim publik të detyrueshëm si dhe publikimin e plotë të akteve, kontratave, anekseve të tyre, më qëllim që çdo individ të njihet për mënyrën e përdorimit të parave publike;
- Dhe një sërë dispozitash të tjera që rrisin trasparencën, luftojnë korrupsionin dhe e bëjnë llogaridhënien e zyrtarëve të detyrueshme.”











