“Lisi i Gjakut”/ Si i përdori Venediku shqiptarët në betejat e Mesdheut

Mar 3, 2026 | 14:00

venediku lufteILIR CENOLLARI

Periudha paraosmane, osmane dhe pasosmane, është një periudhë kritike për popullin shqiptar. Paqëndrueshmëria e përgjithshme e Arbërisë, e nisur në shekullin e XI, vazhdon ta mbajë të mbërthyer vendin dhe të përshkallëzohet më tej, të marrë trajta më tronditëse, deri dhe tragjike. Populli shqiptar është një nga protagonistët kryesorë të zhvillimeve historike të rajonit, Evropës dhe më gjerë. Shqipëria është nyja ku kryqëzohen interesat vitale të fuqive të mëdha, vendi ku shtet më të fuqishme të Evropës luftojnë për jetë a vdekje mes tyre. Shqiptarët janë viktimë e lojërave të historisë, teatër i përleshjeve të përgjakshme, vuajtjeve të mëdha, mizorive dhe fatkeqësive më të paimagjinueshme. Studiuesi Alen Ducellier thekson, se në këtë epokë, në Evropë po endej pëlhura e jetës urbane, ndërsa në Arbëri po ndodhte një proces i kundërt, prapavajtës. Pasiguria e përgjithshme nuk favorizonte procesin e urbanizimit dhe zhvillimit të vendit, por procesin e shthurjes dhe braktisjes së vendit, e rrënimit dhe tkurrjes së qyteteve e qendrave tradicionale urbane.

Cilët qenë faktorët madhorë që prodhuan këtë paqëndrueshmëri të përgjithshme, politike dhe ekonomike, sociale dhe demografike? Bizanti, osmanët, venedikasit, napolitanët, serbët, bullgarët. Në sfond qëndronte Evropa e krishterë. Kjo krisje dhe tronditje filloi në shekullin e XI-XII, me mësymjen e kryqtarëve drejt viseve ilire dhe Bizantit, me shembjen e perandorisë së Kostandinopojës, me fitoret e latinëve mbi bizantinët, me krijimin e shteteve të reja në Ballkan etj.. Shteti i Komnenëve, me qendër Ohrin, nuk mundi t’u bënte ballë rreziqeve të jashtme, megjithë përpjekjet e mëdha dhe sakrificat e panumërta për gati një shekull e gjysmë. Paqëndrueshmëria politike, pasiguria e përgjithshme, gjendja e vështirë ekonomike, ndërhyrjet e fuqive të huaja, të gjitha këto prodhuan kriza besimi dhe frike, përçarje politike dhe ideologjike, aleanca fluide, eksode dhe largime masive.

“NJË POPULL NË MËRGIM”

Studiuesi Bernad Doumerk në esenë “Një popull në mërgim” ndalet gjatë në gjendjen politike, ekonomike sociale dhe morale të Shqipërisë dhe shqiptarëve në shekujt XIV-XV. Ai pranon se Ballkani, në radhë të parë populli shqiptar, u përballë me vrullin e një politike imperialiste, që tronditi Evropën. Rrethana të veçanta e bënë popullin shqiptar tipin e popullit nomad, që ikën, që emigron në vende të tjera në kërkim të fatit, të bukës së gojës, të mbijetesës. Politika e Venedikut, në luftë me shtetet dhe principatat shqiptare, me Bizantin dhe osmanët, kalonte përmes ngulitjes së fortë në Shqipëri dhe zotërimit të territoreve shqiptare, sidomos ato bregdetare. Shqipëria u bë monedha e çmuar dhe nyja kryesore e politikës venedikase në Ballkan dhe me gjerë. Kjo u përforcua me traktatin e paqes të vitit 1381. Venediku, siguroi monopolin e tregtisë, detin Adriatik dhe detin Jon, zuri me radhë qendrat kryesore bregdetare shqiptare: Durrësin në vitin 1392; Shkodrën në vitin 1396; Drishtin në vitin 1403; Tivarin dhe Ulqinin. Duhet thënë se kjo politikë kishte nisur që në shekullin e X-XI me koncesionet bizantine, me shpërthimin e Kryqëzatave, me paktin “Partito Romania”, me ndarjen e zonave të influencës dhe vazhdoi me të njëjtin intensitet dhe në shekullin e XIV, pikërisht në prag të pushtimeve osmane të Ballkanit. Në fillim të shekullit të XVIII, konsulli i Venedikut A. M. Morana do të deklaronte: “Shqipëria është India e Vogël e venecianëve”.1 Një nga shkaqet kryesore të emigrimit të shqiptarëve drejt perëndimit është faktori ekonomik, gjendja e vështirë ekonomike e vendit. Këtë të vërtetë e pohon kronisti venedikas, Marino Sanudo, hartues i një vepre madhore prej 59 volumesh. Shkaku i dytë madhor për emigrimin e shqiptarëve drejt perëndimit është faktori politik, ndërhyrjet e fuqive të huaja në jetën politike të vendit. Principatat shqiptare, për shkak të madhësisë, fuqisë, konflikteve dhe armiqësive tradicionale mes tyre, u bënë objekt i interesimit të madh dhe lojës politike të kohës të fuqive armike, që kishin interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri. Pas rënies së Mbretërisë Anzhuine të Arbërisë (1272-1290), disa familje të mëdha shqiptare, si Topiajt e Durrësit dhe Balshat e Zetës, u mbështetën politikisht dhe financiarisht nga fuqitë e huaja në ambiciet e tyre për shndërrimin në fuqi zotëruese në Shqipëri. Pas vdekjes së Stefan Dushanit, viti 1355, Balsha, bëri përpjekje të mëdha për bashkimin e principatave shqiptare në një shtet të vetëm.

PRINCI I ARTËS

Të njëjtën gjë u mundua ta realizojë Gjin Bua Shpata, princ i Artës dhe shtetit të tij në bashkëpunim me Zenebishët, Muzakajt, Ljoshat, Mazrekët, Buzikët dhe princat e tjerë në jug të vendit. I biri i Balshës, prishi aleancën me ortodoksinë dhe u bashkua me katolicizmin duke zënë Shkodrën dhe Zetën, por ushtria osmane i shoi shpresat e tij pas fitores së betejës së Savrës, viti 1385. Dukagjinët, zotër të Shkodrës dhe Lezhës, që herët vazhdonin të mbanin marrëdhënie të ngushta me Venedikun. Ky i fundit në vitin 1403 bëhet zot i Shkodrës. Venediku dështoi në Shqipëri në kohën e krijimit të shtetit të Arbrit nga Gjergj Kastrioti (Skënderbeu), që gëzonte përkrahjen e Papatit dhe Mbretërisë së Napolit. Këtë dështim Venediku u përpoq ta kompensonte me shqiptarët e viseve jugore dhe Greqisë, Negropontit, Moresë, Argosit, Patras, etj.. Naufplio e Argosit u bë qendra kryesore e grumbullimit të shqiptarëve të viseve jugore; peshkopi i Naufplios, Zaharia, përgjatë pesë viteve furnizoi vendosjen e emigrantëve shqiptarë atje. Papati dhe françeskanët nga ana tjetër mbështetën shqiptarët e veriut me synimin e riintegrimit të tyre në perëndim dhe katolicizëm.

2. Politika venedikase nxiti dhe shfrytëzoi emigracionin shqiptar për qëllime të shumëfishta:

a) Për sigurimin e fuqisë punëtore, shfrytëzimin e krahut të lirë të punës dhe ripopullimin e zonave të zbrazura në veri të Venedikut, pas epidemisë së vitit 1307 dhe 1320, sidomos pas vitit 1397, kur turqit osmanë morën forcërisht rreth 14 mijë robër. Venediku kontrolloi valët masive të emigracionit shqiptar duke e shndërruar këtë fatkeqësi njerëzore në fuqi të madhe politike, ekonomike dhe ushtarake. Grupe të tëra me popullsi shqiptare, të një familje, barku, fare, fisi, fshati, vërshuan në tregjet veneciane, që kishin uri për fuqi punëtore. Në kohën kur nevoja për krah pune ra, pas viteve 1388, republika vendosi rregulla dragoniane për shqiptarët që donin të emigronin në Venedik. Për kërkuesit nënshkruhej një kontratë e posaçme sipas së cilës, në këmbim të 4 dukatëve (më vonë 6 dhe 8 dukatëve), që ishte çmimi i transportit nga Durrësi në brigjet italiane, emigranti detyrohej të punonte katër vjet, më vonë 6 dhe 8 vjet falas për punëdhënësin e tij venedikas. Senati i Venedikut i përforcoi masat e kontrollit dhe skllavërimit të shqiptarëve duke favorizuar pronarët e mëdhenj venedikas. Në vitin 1391, senati i Venedikut reklamoi tek Malatesta i Peskarës, pagesën prej 250 dukate të një trafikanti, që transportonte “kokat e shqiptarëve” në brigjet italike. Shqiptarët vërshuan dhe në drejtim të Raguzës, që paraqiste një zonë të lulëzuar dhe të mbrojtur ekonomike. Raguzianët (Dubrovniku i sotëm, Kroaci) pasi shporrën zgjedhën veneciane, që në vitin 1358, donin të rrisnin prodhimin e produkteve tekstile, artizanateve dhe metalurgjisë. Nevoja e ethshme për krah pune i shtyu autoritetet Raguziane të organizonin gjuetinë e fuqisë punëtore. Matrapazët “blinin” grupe me popullsi shqiptare dhe i shisnin si skllevër në tregjet e Dalmacisë. Zoti i Zetës, Mali i Zi, Dioklea e dikurshme, Gjergj Strazimir Balsha, protestoi ashpër pranë senatit raguzian që ndaloi këtë pirateri skllavëruese. Senati nxori një ligj të posaçëm që ndalonte shitjen e shqiptarëve si skllevër nëpër qytete dhe rrethina të Raguzës.

b) Për krijimin e kordonit mbrojtës në pika dhe vende strategjike përgjatë vijës bregdetare, që shtrihej nga Istria deri poshtë në Peloponez, Egje dhe Dardanele. Emigrantët shqiptarë u vendosën në vende dhe pika strategjike ushtarake, në formën e qendrave urbane dhe paraushtarake. Atyre iu dha tokë në këmbim të shërbimeve ushtarake, mbrojtëse dhe sulmuese.

c) Për krijimin e formacioneve ushtarake me trupa të zgjedhura që njihen me emrin “stradiote”, ose “stratiote”. Shqiptarët u bënë burimi kryesor i krijimin të stratiotëve ose kondotierëve, ushtarëve me pagesë, kavalerisë së lehtë, gardave kombëtare etj.. Për këtë u shfrytëzua me cinizëm gjendja e vështirë e shqiptarëve, varfëria e madhe, pasiguria, turbullira dhe çoroditja e përgjithshme. Emigracioni shqiptar u bë rezervuari kryesor i rekrutimit të trupave ushtarake, të gatshme për t’u hedhur në luftë. Shqiptarët, këto ushtarë trima, dhanë shembuj të pafundmë guximi, trimërie dhe heroizimi. Në Raguzë, prijësi shqiptar Nikita Topia, në krye të një force ushtarake shqiptare luftoi për mbrojtjen e qytetit nga sulmi i ushtrisë boshnjake. Në këmbim të një kontrate për kullotjen e tufave me bagëti lirisht, shqiptarët angazhoheshin në veprime ushtarake. Fushata ushtarake për mbrojtjen e Moresë (viti 1463) nxori si asnjëherë tjetër cilësitë e mëdha luftarake të shqiptarëve. Gjatë fazës së dytë të kësaj lufte (Moresë), që përkon me nënshkrimin e traktatit të paqes së vitit 1479, që praktikisht zyrtarizonte humbjen e Shqipërisë, stratia arbëreshe, e përbërë nga fiset Buziki, Ralli dhe Bua, bëri akte të ndritshme heroizmi. Shqiptarët mbetën të zhgënjyer nga Venediku sepse traktati favorizonte osmanët, dhe për këtë qëllim qëndruan me heroizëm, luftuan si luanë, pa u trembur nga pasojat dhe vdekja, kërkuan të fuqizohej rezistenca në Epir, Peloponez dhe Shqipëri, etj.. Në vitin 1497, në Lido mbërrijnë një mijë stratiotë shqiptarë, të cilët u nisën për në Toskanë ose Lombardi. Luftëtarët shqiptarë i gjejmë në Pulje gjatë luftërave kundër osmanëve. Stratiotët shqiptarë marrin një premio prej tre dukatësh për një kokë harkëtari dhe një dukat për një kokë këmbësori armik. Gjatë luftës së Ligës së Cambrait, 1500-1521, kondotierët shqiptarë bën mrekullira të mëdha. Në vitin 1509, Federiko Kontarini, provizor i ushtarëve shqiptarë, lietnant i Friulit, inkurajoi vendosjen e shqiptarëve në vijën e luftës i bindur se ata do të luftonin si luanë sepse “nuk e llogarisin jetën, se ata janë gati t’i shkulin gjuhën, t’i presin dorën, t’i nxjerrin sytë, t’i presin kokën armikut për të marrë shpërblimin e premtuar”. Italia u bë vendi i dyndjes së pandalshme të grupeve të pafata shqiptare, gra, fëmijë, të veja, prijës, ushtarë të liruar, klerikë të frikësuar. Në vitin 1503 në Padovë kleri albano-dalmat përbënte 25% të numrit të përgjithshëm. Në vitin 1500 qyteti i Koronës u rrethua dhe kërkoi ndihmën e osmanëve, shqiptarët i bën thirrje Krishtit dhe u betuan se do të luftonin deri në vdekje.

d) Venediku përdori trupat shqiptare për të shmangur një përplasje frontale me fuqinë e madhe osmane. Kronikat venedikase në këtë drejtim janë shumë të pasura, por ende të pashfrytëzuara si duhet nga studiuesit shqiptarë. 2 Osmanët që në vitin 1330 kishin futur “hundët” në politikën e Bizantit dhe kishin njohur trojet shqiptare të jugut, Beratit, Janinës, Artës, etj.. Në gjysmën e dytë të shekullit të XIV, osmanët iu afruan përsëri viseve të Shqipërisë Jugore. Për t’i bërë ballë kësaj fuqie, më saktë superfuqie, Venediku llogariste fuqinë shqiptare, e cila mund të rezultonte vendimtare. Kështu, zoti Dolfin thekson rëndësinë e madhe të vendeve strategjike të Shqipërisë, rëndësinë e fiseve dhe familjeve të mëdha shqiptare në çdo negociatë dhe marrëveshje të kohës. Familjet dhe fiset shqiptare janë të lidhura në një rrjet të madhe, që formojnë atë që quhet “Lisi i Gjakut”, një trup i vetëm me fuqi të jashtëzakonshme. Kjo rrjetë fisnore i bëri ballë me sukses procesit të shpërbërjes dhe shkombëtarizimit, ruajti dhe siguroi identitetin dhe vazhdimësinë, nuk arriti t’i unifikojë shqiptarët politikisht. Kronikat venedikase vënë në dukje sëmundjen kronike shqiptare, përçarjen dhe dasinë ndërfisnore, krahinore, paqëndrueshmërinë dhe lëvizshmërinë e madhe politike, rivalitetin, mëritë dhe armiqësitë e zakonshme mes familjeve dhe fiseve të mëdha shqiptare.

e)Venediku i përfshiu shqiptarët në luftërat e brendshme të Italisë. Lëvizshmëria e madhe e trupave ushtarake shqiptare i shërbeu projekteve të Republikës nga gjithë gadishullin Apenin, nga Friuli e deri në Pulje. Një dokument i kësaj periudhe thotë: “Në të gjitha qytetet e krahinave të zëna nga Venediku gjejmë shumë shqiptarë, kalorës, që kanë marrë emrin grek të stradiotëve… nga natyra këta njerëz të ashpër, me aftësi të shkëlqyera për të luftuar në betejat kalorësiake…”. Në arkivat e Venedikut të kësaj kohe dalin dendur emrat e Buajve, Buzëve, Remasve, Spadave (Spatave), Ralëve, Bokalëve, kondotierë brez pa brezi, at e bir, në shërbim të Venedikut. Lufta shkaktoi një valë të re emigrimesh masive në drejtim të brigjeve italike. Bernad Dumerk konkludon: “Trimëria heroike e shqiptarëve është e njohur nga të gjithë armiqtë e tyre, të cilët i kanë admiruar për këtë veti”.

(Footnotes) 1 Pëllumb Xhufi “Shekulli i Voskopojës”, Toena 2010, faqe 328.

2 Chronique de Zorzi Dolphin, inedited, Donadolo da lezze, etj

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura