
Shqipëria renditet në vendin e 57-të në botë sa i përket lirisë ekonomike në Indeksin për vitin 2012, publikuar nga Fondacioni “The Heritage Faundation” në partneritet me Wall Street Journal.
Vendi ynë vjen i dyti në rajon, pas Maqedonisë në vendin e 43-të, vlerësuar me 68.5 pikë.
Nga 100 pikë të mundshme Shqipëria është vlerësuar me 65.1 pikë, duke u klasifikuar në kategorinë, ku liria ekonomike është mesatare.
Në raport thuhet se niveli i lirisë ekonomike në Shqipëri është rritur me 1.1 pikë gjatë vitit të kaluar, kryesisht për shkak të përmirësimeve në luftën kundër korrupsionit dhe liritë e biznesit.
Shqipëria renditet e 26-ta në mesin e 43 vendeve evropiane, dhe sipas raportit rezultati i saj i përgjithshëm është mbi mesataren botërore.
Liria ekonomike në Shqipëri është penguar nga mangësitë në çështjen e të drejtës së pronës dhe për shkak të korrupsionit të përhapur. Kjo vjen për shkak të ndërhyrjes së politikës në gjyqësor, thekson më tej raporti.
Po sipas raportit, qeveria ka mbajtur një mjedis konkurrues tatimor me një normë interesi të sheshtë prej 10 përqind.
Është rritur dinamizmi ekonomik, dhe vendi ka përjetuar një rritje të fortë ekonomike që e ka ulur varfërinë dhe normat e papunësisë, thuhet më tej në raport.
Edhe pse procedurat janë lehtësuar, dhe investimet e huaja direkte janë rritur vitet e fundit, niveli i investimeve mbetet ende ndër më të ultët në rajon.
Për statistikë, nivelin më të madh të pikëve duke u renditur në krye të këtij indeksi, e ka marrë Hong Kongu me 89.9 pikë.
Renditja e vendeve fqinje.
Maqedoni- 43
Shqipëri- 57
Mali i Zi- 72
Serbi- 98
Bosnja dhe Hercegovina- 104
Greqi- 119
© Panorama.al











