“Me gjendjen e lirisë së shtypit në këtë moment është e pamundur që Shqipëria t’i bashkohet Bashkimit Evropian. Për Bashkimin Evropian liria e shtypit është shumë e rëndësishme”. Kështu është shprehur në një intervistë për Deutsche Welle, Olivier Basille, Shefi i Marredhënieve me Institucionet Europiane pranë Reporterëve pa Kufij.
“Nuk mund të flasim për një shtyp të lirë. Numri i gazetarëve të paditur është shtuar ndjeshëm. Politikanët janë bërë shumë të zgjuar. Ata thonë që nuk ka censurë politike në Shqipëri dhe kjo është pjesërisht e vërtetë, sepse ata e kanë bërë censurën të ligjshme. Politika thotë se nuk ka burg për gazetarët, por gjykatat vendosin gjoba shumë të larta, që është e pamundur për t’i paguar. Duke qenë se gazetarët në Shqipëri janë të pambrojtur, ata e rrisin nivelin e autocensurës dhe nuk investigojnë, sepse e dinë që do të paditen dhe do të humbasin përpara drejtësisë. Kështu që për shumë çështje nuk shkruajnë, nuk investigojnë dhe shumë informacione mbeten në errësirë, ” thotë Basille në intervistën për Deutsche Ëelle-n (DË).
Ai thekson se censura është bërë e ligjshme në Shqipëri, sepse në të shumtën e rasteve gazetarët kanë humbur gjyqet dhe ky është një mesazh i qartë se nëse ti shkruan për një gjë, do të paditesh dhe do të humbasësh para drejtësisë. “Sistemi i drejtësisë është gjithnjë e më shumë i komplikuar dhe kundër lirisë së informacionit.”
Basille në fund të intervistës thekson edhe diçka që shpesh herë keqkuptohet në opinion publik. “Raporti ynë u drejtohet institucioneve shtetërore dhe jo qytetarëve shqiptarë. Shpesh herë qeveritë na sulmojnë duke thënë se po lobojmë kundër pranimit në Bashkimin Evropian. Por jo. Natyrisht që Shqipëria e meriton të futet në Bashkimin Evropian, por jo sot nëse nisemi vetëm nga liria e shtypit. Ne kemi bërë gabim me Rumaninë dhe Bullgarinë që i pranuam me problemet me shtypin e lirë dhe sot është e pamundur për t’i rregulluar. Ne i themi Shqipërisë dhe shqiptarëve që jeni të mirëseardhur, por nëse shohim gjendjen e lirisë së shtypit në këtë moment është e pamundur që Shqipëria t’i bashkohet Bashkimit Evropian. Për Bashkimin Evropian liria e shtypit është shumë e rëndësishme”- thotë ai.
© Panorama.al











