Partia Socialiste voton kundër aktit normativ të propozuar nga qeveria për heqjen nga akset rrugore të varrezave të makinave. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, tetë deputetë të pranishëm të PS-së votuan kundër variantit të miratuar në Këshillin e Ministrave, duke paralajmëruar edhe votën kundër në votimin e ditës së enjte në Parlament. Deputetët e PS-së kritikuan edhe përmbajtjen e aktit sa i përket përfshirjes së Forcave të Armatosura në konfiskimin e makinave të prishura, si dhe afatin prej 40 ditësh brenda të cilit këto varreza duhet të spostohen të paktën një km larg rrugës kombëtare. Ish-kryeministri, njëherësh deputet i PS-së, Pandeli Majko, u ndal te roli i ushtrisë në këtë proces, duke u shprehur se ajo nuk është një ndërmarrje komunale që të merret me pastrimin e vendgrumbullimeve të makinave. “Ajo që nuk po arrij të kuptoj unë, pavarësisht se në parim jam për t’i pastruar të gjitha këto, është përfshirja e Ministrisë së Mbrojtjes në këtë proces. Ministria e Mbrojtjes do të thotë forca të armatosura. Ka një ligj për funksionimin e tyre dhe ndihmojnë në rastin e emergjencave civile. Ajo që s’kuptoj unë është që ç’punë ka Ministria e Mbrojtjes me një material të konfiskuar?! Në relacion keni thënë që janë ngarkuar forcat e armatosura sepse janë të vetmet forca të afta për ta organizuar dhe kanë mjetet për ta kryer këtë proces. Dakord, në Shqipëri këto historitë e skrapit mund t’i bëjnë vetëm forcat e armatosura. Ne pamë Azotikun, nuk pashë të futeshin ushtarakë. Ç’është kjo histori? Do t’i çojë ushtria në repart ushtarak? Çfarë është ushtria, ndërmarrje komunale?”, iu drejtua Majko përfaqësuesit të Ministrisë së Mjedisit, i cili ishte i pranishëm në mbledhjen e Komisionit për të mbrojtur aktin normativ. Në përgjigje të interesimit të deputetit të PS-së, Edlir Orozi, nga Ministria e Mjedisit, argumentoi se vetëm forcat e armatosura i kanë mjetet për ta përmbushur këtë proces. “Ministria e Mbrojtjes i disponon mjetet, kështu u gjykua në Këshillin e Ministrave. Do të bëjë transportimin, grumbullimin pranë reparteve që janë në zona të largëta dhe pastaj do t’u nënshtrohen procedurave transparente të shitjes për të mbuluar shpenzimet e transportit”, tha Orozi. Ndërsa deputeti tjetër i PS-së, Sajmir Tahiri, hodhi hije dyshimi se i gjithë procesi po ndërmerret për të marrë skrapin. “Keni parashikuar kohë 40 ditë, përfshi edhe 10 ditë ankimim, më çojnë të pyes: e bëni këtë ligj realisht për të larguar mbetjet, apo për konfiskuar dhe shitur skrapin?”, pyeti Tahiri. Sipas përfaqësuesit të Ministrisë, “në gjykimin tonë, si propozues dhe zbatues të aktit normativ, ideja është që pas 40 ditësh, për ata që është çuar akt kontrolli nga Inspektorati i Mjedisit, pasi është çuar dhe procesverbali, në përfundim të afatit do të nisin procedurat për të realizuar fizikisht konfiskimin”.
Debati në Komisionin e Ligjeve
Sajmir Tahiri: Keni parashikuar kohë 40 ditë, përfshi edhe 10 ditë ankimim. Më çojnë të pyes: e bëni këtë ligj realisht për të larguar mbetjet, apo për konfiskuar dhe shitur skrapin?
Edlir Orozi (përfaqësues i M. së Mjedisit): Nuk do të thotë se për 40 ditë këto do të konfiskohen. Në gjykimin tonë, si propozues dhe zbatues të aktit normativ, ideja është që pas 40 ditësh, për ata që është çuar akt kontrolli nga Inspektorati i Mjedisit, pasi është çuar dhe procesverbali, në përfundim të afatit do të nisin procedurat për të realizuar fizikisht konfiskim. Nuk do të thotë se për 40 ditë ato do të zhduken.
Pandeli Majko: Ajo që nuk po arrij të kuptoj unë, pavarësisht se në parim jam për t’i pastruar të gjitha këto, është përfshirja e Ministrisë së Mbrojtjes në këtë proces. Në Shqipëri këto historitë e skrapit mund t’i bëjnë vetëm forcat e armatosura. Në pamë Azotikun, nuk pashë të futeshin ushtarakë. Ç’është kjo histori?! Do t’i çojë ushtria në repart ushtarak? Çfarë është ushtria, ndërmarrje komunale?
Edlir Orozi: Ministria e Mbrojtjes i disponon mjetet. Kështu u gjykua në Këshillin e Ministrave, do të bëjë transportimin, grumbullimin pranë reparteve që janë në zona të largëta dhe pastaj do t’u nënshtrohen procedurave transparente të shitjes për të mbuluar shpenzimet e transportit.











