Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri theksoi se ligji për financimet e partive politike është prioritet, dhe një nga pikat kyçe që kanë të bëjnë edhe me rrugën evropiane të vendit.
Në një tryezë të mbledhur sot për Reformën Zgjedhore, Gjiknuri theksoi se ky ligj është i nevojshëm të ndërtohet me transparencë, si edhe që të krijojë një balancë mes partive.
Sipas tij, nuk duhet të lejojnë që të bëhet barrë për partitë e vogla, por gjithashtu shtoi se duhet të parandalojnë edhe financimet e paligjshme nga krimi, për interesa të caktuara apo nga ndikimet e huaja.
“Ndërtimi i një ligji me parametrat që kërkon koha është objektiv i rëndësishëm i joni. Çështje e rëndësishme por kemi masa pak më të mëdha politike se përmirëson një gjë që i shërben të gjitha partive politike.
Ligji nuk do të udhëhiqet nga parimi që njëra forcë të dominojë tjetrën, do të jetë proporcional, me standardet më të mira por edhe duke marrë parasysh edhe jetën shoqërore dhe traditën e shoqërisë shqiptare. Duke mos u kthyer një barrë e rëndë për partitë e vogla politike që mbase mund ta kenë më të vështirë nga kërkesat që mund të bëhen nga ky ligj.
Duhet të gjejmë një balancë që tregon transparencë, kontroll, auditim të pavarur dhe të parandalojmë fenomene që janë ndikime të paligjshme si financimet nga burime të papranueshme, qoftë nga bota kriminale e interesa biznesi të lidhura me pushteti apo fuqi të huaja.”, u shpreh mes të tjerash ai.
© Panorama.al












