Maxhoranca rrëzon dekretin e Presidentit Bamir Topi për ligjin e plehrave. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, komisioni përgjegjës për këtë çështje, deputetët e shumicës votuan kundër kthimit të ligjit në Parlament nga ana e kreut të shtetit, çka pritet të ndodhë edhe në seancë plenare dhe ligji të hyjë në fuqi pa asnjë ndryshim.
Debati
Përfaqësuesit e qeverisë në këtë mbledhje u shprehën se neni 49 i ligjit që parashikon importimin e mbetjeve nuk bie ndesh me asnjë nen tjetër të këtij akti. “Ligji përputhet plotësisht ose përgjithësisht me legjislacionin e vendeve fqinje. Ligji flet për menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë, dhe jo që gjenerohen në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në nenin 48 theksohet se ndalohet importi i mbetjeve jo të rrezikshme për qëllime ruajtjeje, që do të thotë që ne s’marrim mbetje nga vende të tjera për t’i ruajtur diku apo për t’i asgjësuar. Në nenin 49 thuhet që importi bëhet vetëm me autorizim të Këshillit të Ministrave. Ne nuk shikojmë kundërshti mes nenit 49 dhe nenit 2 të ligjit. Ne flasim për mbetje në territorin e Republikës së Shqipërisë, dhe jo për mbetje që gjenerohen në territorin e Shqipërisë. Ligji garanton mbrojtjen më të lartë”, u shpreh zv.ministri i Mjedisit, Taulant Bino. Ndërsa përfaqësuesit e opozitës kërkuan që qeveria të mos e miratojë ligjin në këtë formë, duke ndryshuar nene të tij. Sipas deputetit të Partisë Socialiste në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, Blendi Klosi, opozita do të organizojë një referendum ku qytetarët të shprehen nëse janë dakord për importimin e plehrave në Shqipëri. “Nëse ky ligj do të ketë një votim të fshehtë, nuk merr pesë vota nga PD-ja. Ju do ta bëni procedurën, ne do të përpiqemi bashkë me Aleancën kundër importit të plehrave të mbështesim një referendum popullor. Kërkojmë që të jetë një referendum para miratimit të këtij ligji, ku qytetarët të shprehen a është i gatshëm realiteti shqiptar të pranojë importimin e plehrave”, tha Klosi. Sipas tij, shfuqizimi i këtij ligji do të jetë vendimi i parë pasi PS-ja të vijë në pushtet. “Ashtu siç është moratoriumi i skafeve, do të bëhet edhe moratoriumi i plehrave. Këta që kanë investuar, për pesë vite të merrem me plehrat në vend. Ju mund ta kaloni edhe në Parlament me votën tuaj. Ajo që deklaroj në emër të PS-së, ky do të jetë ligji i parë që do të suprimojmë sapo të marrim pushtetin. Kjo histori do të ketë një zgjidhje dhe ajo zgjidhje do të jetë kur ky ligj të suprimohet”, u shpreh më tej deputeti i PS-së. Pas një debati prej dy orësh, ku ishin edhe grupet e interesit, kreu i Komisionit, Jemin Gjana, propozoi rrëzimin e dekretit, propozim që u pranua nga anëtarët e djathtë të Komisionit. Në Kuvend rrëzimi i dekretit të Topit duhet të marrë 71 vota.
“Kthimi i ligjit, qëndrim politik”
Kryeministri Sali Berisha tha dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar demokrat se rrëzimi i ligjit nga Presidenti Bamir Topi ishte një qëndrim politik i kreut të shtetit. “Në këtë kontekst, ne kemi trajtuar dhe do të trajtojmë në mënyrë kushtetuese çdo qëndrim që mbahet ndaj ligjeve të vendit, të votuara në Parlament, nga Presidenti i Republikës. Por, dua të them se qëndrimi ndaj këtij ligji është, nga alfa tek omega, qëndrim politik dhe ata të cilët përpiqen në Aleancën e Plehut të mashtrojnë dhe të dezinformojnë shqiptarët, do ta gjejnë veten të dëshpëruar”, u shpreh Kryeministri para deputetëve demokratë.
Debati në Komision
Lavdosh Ferruni (Aleanca kundër importit të plehrave): Ne jemi në favor të riciklimit të mbetjeve vendase. Ne jemi për industrinë e riciklimit të mbështetur dhe subvencionuar nga shteti. Kontestimet tona lidhen me importin dhe eksportin e mbetjeve. Neni 49 që flet për importin e mbetjeve të rrezikshme bie në kundërshtim me qëllimin e ligjit.
Taulant Bino (zv.ministër i Mjedisit): Ligji përputhet plotësisht ose përgjithësisht me legjislacionin e vendeve fqinje. Ligji flet për menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë, dhe jo që gjenerohen në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në nenin 48 theksohet se ndalohet importi i mbetjeve jo të rrezikshme për qëllime ruajtjeje, që do të thotë që ne s’marrim mbetje nga vende të tjera për t’i ruajtur diku apo për t’i asgjësuar. Neni 49 thotë që importi bëhet vetëm me autorizim të Këshillit të Ministrave. Ne nuk shikojmë kundërshti mes nenit 49 dhe nenit 2 të ligjit. Ne flasim për mbetje në territorin e Republikës së Shqipërisë, dhe jo për mbetje që gjenerohen në territorin e Shqipërisë. Ligji garanton mbrojtjen më të lartë.
Eduard Shalsi: Dua të më tregoni që jeni seriozë, të përgjegjshëm dhe të përgatitur për këtë ligj. Ju kemi shtruar disa pyetje për disa kompani të mëdha që kanë vizituar Shqipërinë, njëra prej tyre u mësua në Bullgari që kishte vizituar Shqipërinë. Kanë bërë vizita nëpër tunele e galeri minierash. A keni dijeni pse kanë shfaqur një interes kaq të madh kompani të tilla? Do të doja të ishit i kujdesshëm në përgjigjet që jepni, sepse një pyetje tjetër që u kemi shtruar në Parlament për varrezat e makinave, ju nuk e dinit që në Shqipëri ishte një kompani e madhe që ka investuar, nuk e dinit nëse kishte marrë leje mjedisore.
Jemin Gjana: Nuk është as vendi, as pozicioni dhe as kapaciteti që ju keni që mund të bëni presion.
Eduard Shalsi: Unë nuk mund të bëj presion dhe as të bëj pyetje.
Jemin Gjana: Pyet për ligjin, jo për gjëra që s’kanë të bëjnë me ligjin.
Eduard Shalsi: Nuk është aspak serioze edhe për ju kolegë që një zëvendësministër me stemën e republikës nga mbrapa të lëshojë akuza ndaj atij që deri dje ishte në krahun tuaj. Kjo nuk është serioze, kjo tregon se sa jashtë kontrollit është situata.
Blendi Klosi: Ashtu siç është moratoriumi i skafeve, do të bëhet edhe moratoriumi i plehrave. Këta që kanë investuar, për pesë vite të merrem me plehrat në vend. Ju mund ta kaloni edhe në Parlament me votën tuaj. Ajo që deklaroj në emër të PS, ky do të jetë ligji i parë që do të suprimojmë sapo të marrim pushtetin. Kjo histori do të ketë një zgjidhje dhe ajo zgjidhje do të jetë kur ky ligj të suprimohet.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











