Ligjet me 3/5, PD: PS s’ka sjellë asnjë propozim

Nov 7, 2011 | 16:36

TIRANE- Partia Demokratike akuzoi sot kryetarin e opozitës, Edi Rama se po bllokon qëllimisht proceset integruese të vendit, duke mos votuar ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar.

Duke iu referuar fjalimit të sotëm të Ramës përpara grupit parlamentar të PS-së, Gerti Bogdani gjatë një deklaratë nga selia blu tha se, Rama nuk ofroi asnjë arsye të vetme që e shtyn atë të përdorë mosvotimin e ligjeve që kërkojnë 84 vota  në parlament, për të bllokuar statusin e kandidatit.

“Shqiptarët e dinë se bllokimi i amendamenteve të kodit rrugor që imponojnë teknologji te rë për drejtuesit e automjeteve dhe uljen e aksidenteve vdekjeprurëse rrugore, bllokimin e rekomandimeve ndërkombëtare për luftën e korrupsionit ndaj zyrtarëve, apo bllokimi i ligjeve që vijnë si detyrim nga anëtarësia e Shqipërisë në organmizatën Botërore të Tregëtisë, bëhet me qëllimin e vetëm, për të mos lejuar që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit.”- shkruhet në deklaratën e PD-së.

Duke ftuar kreun soçialist që të lejë mënjanë axhendën e tij personale politike, Bogdani tha se, nëse PS ka kundërshtime thelbësore për këto ligje, ajo mund t’i kishte paraqitur dhe mund t’i paraqesë në çdo kohë, por deri më sot nuk kanë sjellë as edhe një propozim të vetëm.

Më tej Bogdani i kërkoi Ramës që të lejojë deputetët e tij të votojnë për këto ligje që përbëjnë edhe kushtin më kryesor për integrimin e vendit.

PD theksoi edhe njëherë se mbetet e përkushtuar jo me fjalë por me vepra konkrete për rritje rrogash, pensionesh, krijim të vendeve të reja të punës, ndërtimin e rrugëve, shkollave, kanalizimeve e spitaleve, investime të huaja të mëdha dhe çuarjen përpara të procesit të integrimit të vendit në BE.

© Panorama.al

Te lidhura