Primera Division, ose më mirë Liga spanjolle, është kampionati më i fortë në botë për vitin 2011. Vlerësimi është bërë nga Instituti Ndërkombëtar i Historisë dhe Statistikës. Kampionati spanjoll gjendet në krye të tabelës me 1194 pikë, duke lënë pas Premier Ligën angleze me 1103 pikë dhe kampionatin brazilian me 889 pikë. Mbyll renditjen e pesë vendeve të para kampionati portugez dhe ai francez. Kurse Bundesliga gjermane nuk arrin të shkojë më larg se vendi i 6-të, duke kaluar gjithsesi Serinë A në vend të shtatë. Ky klasifikim aspak i kënaqshëm për futbollin italian ka ardhur si pasojë e rezultateve të arritura nga skuadrat në kompeticionet ndërkombëtare. Dhjetë vendet e para përfundojnë me kampionatin argjentinas në vendin e 8-të, atë holandez në të 9-in dhe kilian në vendin e 10-të. Sakaq, Superliga shqiptare renditet në vend të 71-të, duke lënë pas dy kampionate nga Ballkani: ligën boshnjake (100) dhe atë malazeze (104). Ndërsa kampionati më i fortë në gadishullin tonë është ai rumun (20) i ndjekur nga ai grek (21), turk (24), serb (41), slloven (44), kroat (51), maqedonas (55) dhe bullgar (63). Për sa u përket kampionateve të tjera, Shqipëri lë pas ligën australiane, indoneziane, afrikane, libaneze, irakiane etj.











