Licencat e energjisë, Berisha: One stop shop

Sep 16, 2011 | 15:52

TIRANË- Sportel unik, one stop shop për licencat e energjisë. Kështu ka deklaruar kreu i qeverisë, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Task Forces Rregullatore, e cila mori në shqyrtim sistemin e ri të rregullave procedurale për këto licenca. Sistemi i ri parasheh thjeshtimin e procedurës për çdo lloj leje, licence apo akti tjetër administrativ që lidhet me licencimin e një projekti energjetik.

“Burokracia shqiptare ka qenë jashtëzakonisht problematike, por me reformat e ndërmarra është bërë e mundur që barra qeveritare mbi të të disiplinohet, të zvogëlohet, vetëpërmbahet dhe sot, Shqipëria renditet në grupin e 10 vendeve më të mira në botë, përsa i përket ndërhyrjes së qeverisë”- tha Berisha.

Sipas tij, Shqipëria është vend me potencial të madh energjetik dhe në potencialin e saj ujor është e faktuar se ajo përfaqëson një Norvegji të vogël në Ballkan.

Berisha ka shtuar se pozicioni gjeografik, i cili është gjithnjë një faktor shumë i rëndësishëm në procesin e shfrytëzimit të potencialeve dhe zhvillimit të vendit, është i shkëlqyer përsa i përket energjisë.

Ai ka vlerësuar punën e Task Forcës, Sekretariatit, Ministrisë për materialin e paraqitur dhe për të marrë viston përfundimtare, në mënyrë që kjo të zbatohet me vendosmërinë më të madhe dhe të thjeshtëzojmë, zhdërvjelltësojmë të gjithë praktikën e licencimit në këtë fushë, në të cilën vendi ka interesa të mëdha jetike. “Ne kemi çdo potencial për të qenë një superfuqi e vogël energjetike në rajon”- përfundoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura