Licenca e dytë 3G, fiton AMC me 15.1 milionë euro

Sep 6, 2011 | 10:44

Licenca e dytë për ofrimin e shërbimit 3G në vendin tonë do t’i shkojë AMC-së, e cila ka bërë ofertën më të lartë në tenderin e zhvilluar dje pranë AKEP. Gjatë hapjes së ofertave morën pjesë vetëm dy kompani, ku AMC bëri një ofertë me vlerë 15.1 milionë euro dukshëm më lart sesa vlera minimale, kurse Eagle Mobile bëri një ofertë 12.9 milionë euro. Vlera minimale nga ku fillonte oferta, sipas përcaktimit që ishte bërë nga AKEP, fillonte në 12.5 milionë euro. Edhe pse vendimi i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave pranë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare pritet të jepet zyrtarisht në ditët e ardhshme, sipas sistemit të vlerësimit me pikë që përdoret, 90 pikë i ka vetëm oferta më e lartë të cilën e ka bërë AMC. Ndërsa 10 pikët janë për plotësimin e kriterit të kohës së mbulimit me shërbim në shkallë gjeografike. Ofertat e paraqitura nga kompania duhet të ishin të shoqëruara edhe me dokumentacionin përkatës që lidhet me kriteret profesionale, aftësitë teknike dhe gjendjen ekonomike e financiare të ofertuesit. Kjo është licenca e dytë për ofrimin e shërbimit sipas teknologjisë së brezit të tretë, pas të parës që u fitua në tetorin e vitit të kaluar nga kompania “Vodafone”, me një vlerë prej 31.4 milionë euro. Në tenderin e dytë nuk mori pjesë kompania që është futur e fundit në tregun shqiptar të telefonisë celulare “Plus”. Fillimisht, kompanitë celulare kur u anonçua tenderi i dytë për licencën 3G, kishin kundërshtime për vlerën minimale të ofertës prej 12.5 milionë eurosh, e cila vlerësohej e lartë.

Autoriteti i Konkurrencës dhe BB

Autoriteti i Konkurrencës është një ndër institucionet që këmbënguli që tregu për ofrimin e shërbimit 3G të mos ishte monopol. Pas AK ishte Banka Botërore ajo që, në strategjinë prezantuese për Shqipërisë, lidhur me rritjen ekonomike, propozonte që Shqipëria të bëjë më shumë për teknologjinë e informacionit dhe liberalizimin e tregut për shërbimin 3G.

© Panorama.al

Te lidhura