Levi-lojtarëve: Sfida me Flamurtarin vendos fatin tim

Nov 18, 2011 | 9:35
Stanislav Levi, trajneri cek i kampioneve

Nga sfida me Flamurtarin do të varet edhe fati i trajnerit Stanislav Levi. Të paktën kështu mësohet t’u ketë thënë trajneri çek, Stanislav Levi, lojtarëve të tij, në një bisedë që ka pasur në prag të përballjes me vlonjatët, ku u ka kërkuar me çdo kusht marrjen e pikëve të plota. Një kërkesë në formë ultimatumi, por që kërkon të zbatohet nga futbollistët në këtë takim vendimtar. Çeku u ka bërë të ditur pritshmëritë që ka nga kjo ndeshje, ndërsa ka folur për rëndësinë e saj në raport me skuadrën e kampionëve, por dhe atë vetë. “Na duhet një fitore, një fitore për qytetin, tifozërinë, por edhe për ekipin, që ka nevojë më shumë se kurrë. Ky triumf na duhet edhe për të ardhmen e skuadrës, pse jo edhe timen. Unë kërkoj që ta vlerësoni maksimalisht këtë përballje. Jam i bindur se do të jepni atë që duhet për të arritur aty ku synojmë, marrjen e pikëve të plota”. Në fakt, numri një i pankinës bardhekuqe duket se është i prerë në atë që u kërkon të tijve, ndërsa e thotë hapur se golin e do në 20 minutat e para të takimit. Ndërsa kërkesa e trajnerit çek, Stanislav Levi, është e qartë për lojtarët, të gjithë në kampin bardhekuq i ka kapur emocioni i këtij takimi. Ajo çka mbetet më e panjohur për futbollistët, është se cilët do të jenë pjesë e kësaj përballjeje. Levi duket se po bën misteriozin në këtë drejtim, duke mos treguar asgjë për lojtarët, me të cilët do të luajë në ndeshjen e madhe kundër Flamurtarit. Ndërkaq, dilemat duken të mëdha për këtë sfidë, qoftë për deklaratën e dhënë nga Levi, se nga kjo ndeshje varet edhe e ardhmja e tij.

© Panorama.al

Te lidhura