Skënderbeu largon dy sllovakët që kishin ardhur për provë. Ndonëse kanë qëndruar në grumbullim me korçarët për dy javë me radhë, dy lojtarët sllovakë të ardhur me mjaft bujë në Korçë në datën 7 janar, janë kthyer sërish në atdheun e tyre. Lajmi konfirmohet për gazetën nga burimet zyrtare të klubit të futbollit. Teksa ka përfunduar faza përgatitore në Antalia të Turqisë, trajneri i ekipit, Stanislav Levi, ka folur me të dy lojtarët dhe konkretisht, me mbrojtësin Tomash Peciar dhe mesfushorin Peter Durica. Ai u ka bërë të ditur atyre se nuk mund të ishin pjesë e Skënderbeut, por pa sqaruar arsyet e këtij vendimi. Në fakt, gjatë periudhës së fazës përgatitore në Antalia, por dhe angazhimit në lojë gjatë tri miqësoreve të zhvilluara në të, u duk sikur shanset për të veshur fanellën e kampionëve të Shqipërisë e kishte Durica, i cili është aktivizuar shumë më tepër në lojë. Por duket se kjo nuk ka qenë aspak domethënëse, megjithëse ishte ngritur një mendim i tillë. Gjithçka është rrëzuar bashkë me mbylljen e përgatitjeve në Turqi.











