
TIRANE- “Bëj kujdes të mos bëhesh palë me atë që kanë bërë të tjerët para teje”.
Këto janë disa nga fjalët e shkruara në një letër anonime, e cila ka mbërritur tri ditë më parë në adresë të gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Ardit Mustafaj. Letra kërcënuese e futur poshtë derës së apartamentit të gjyqtarit Ardit Mustafaj ka alarmuar Policinë e Shtetit edhe për shkak se gjithçka ka ndodhur në datën 9 shtator, në njëvjetorin e vrasjes së gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, sapo ka marrë kallëzimin, nëpërmjet Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve ka vendosur në mënyrë urgjente marrjen e masave për mbrojtje të posaçme. Sipas burimeve zyrtare, tri ditë më parë, gjyqtari i Krimeve të Rënda ka depozituar një kallëzim në Drejtorinë e Krimeve të Rënda, ku pretendon se ai dhe familja janë kërcënuar seriozisht me jetë nga një letër e futur poshtë derës.
Çështja më e bujshme ku aktualisht Mustafaj bën pjesë si anëtar trupi gjykues është dosja e Dritan Dajtit. Por, zyrtarë të Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë thanë mbrëmë për gazetën “Panorama” se nuk ka të dhëna konkrete dhe nuk është përcaktuar ndonjë lidhje mes kërcënimit dhe ndonjë çështjeje të veçantë që është apo ka qenë në shqyrtim nga gjyqtari Mustafaj.
© Panorama.al











