Suksesi i Shqipërisë si një destinacion atraktiv turistik është konfirmuar edhe nga Organizata Botërore e Turizmit, gjatë vizitës së numrit dy të Ministrisë së Turizmit të vendit tonë në Spanjë, Nikoll Lesi. Zëvendësministri dhe kreu i OBT-së, Taleb Rifai, nënvizuan në takimin e tyre se rritja e numrit të vizitorëve drejt vendit tonë është një arritje e rëndësishme. Lesi ka vënë theksin në faktin që Shqipëria për këtë vit është zgjedhur si një ndër dhjetë destinacionet kryesore të botës për t’u vizituar. Ndërkaq, nga ana tjetër edhe kreu i OBT, Rifai, në cilësinë e numrit një të turizmit botëror tha se Shqipëria ka bërë shumë hapa para në drejtimin e turizmit dhe se institucioni që ai drejton do ta ketë në qendër të vëmendjes eksperiencën shqiptare në këtë fushë. Një tjetër temë diskutimi mes palëve ishte edhe ajo që lidhej me kërkesën e Ministrisë shqiptare të Turizmit për pajisjen në mënyrë elektronike në prerjen e biletave në parqet arkeologjike, muzetë e kalatë e Shqipërisë, në mënyrë që jo vetëm të ketë kushte moderne për t’u shërbyer turistëve, por edhe si një mënyrë për të matur saktësisht numrin e tyre dhe për të shmangur korrupsionin në këto parqe, pasi eliminohet prerja e biletave me dorë. Pasi ka marrë mbështetjen e kreut të OBT, Lesi ka zhvilluar një takim me numrin dy të Ministrisë së Turizmit në Spanjë, Horacio Diaz del Barco, ku u diskutua për përgatitjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes dy Ministrive të Turizmit, marrëveshje e cila do të nënshkruhet brenda këtij viti.











