Leonard Bombaj shkruan një roman tronditës mbi historinë me 15-vjeçaren

Sep 24, 2011 | 14:49

Bazuar në një histori të vërtetë, dhe që tashmë do të gjendet në faqet e një libri e do të mund të lexohet nga kushdo. Regjisori i njohur Leonard Bombaj ka shkruar romanin e parë të jetës së tij, i cili ndonëse është libër artistik, u frymëzua nga historia e pasqyruar në faqet e shtypit në lidhje me akuzat për përdhunimin e nxënëses së tij 15-vjeçare. Faqet e shtypit për javë të tëra u mbushën këtë verë me fakte dhe kundër fakte nga kjo histori që i tronditi të gjithë, dhe për më tepër e komentuar si një ngjarje e rëndë për të ardhmen profesionale të një artisti. Por, ndërkohë që çështja është drejt përfundimit të hetimit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, që u ka njoftuar akuzat shtetasve Arkimed Lushaj (Stresi) dhe Elis Bashaj, të dy nën masën e sigurisë detyrim paraqitjeje, Leonard Bombaj i surprizon të gjithë me shkrimin në kohë rekord të një romani, që e ka titulluar “Në emër të atit, të bijës dhe shpirtit të zbathur”. Libri, që pritet të dalë në treg këto ditë, do të promovohet me një ceremoni speciale në fillim të javës, në një nga club-et e njohur të Tiranës, ku patjetër që do të jenë të ftuar shumë artistë dhe gazetarë. Në faqet e këtij libri, ku nuk përmenden emra konkretë, do të gjenden detaje të personave të përfshirë në këtë histori, të sjellë si karaktere artistike nga Bombaj. Në profilin e tij zyrtar në Facebook, Nardi ka njoftuar këto ditë fansat se historinë e vërtetë tronditëse të këtij libri ai e rrëfen në faqet e këtij libri. Thuhet se kanë qenë miq të tij, që e kanë shtyrë Nardin ta tregojë të vërtetën në mënyrë artistike, duke u nisur dhe nga fakti se ai ka prirje për të shkruar, gjë që e ka dëshmuar me tekste këngësh apo skenarë të ndryshëm në projektet e tij artistike që nga viti ‘90-të.

Çështja nën hetim, libri del në qarkullim
Ndoshta mund të cilësohet pak me rrezik fakti që regjisori vendos të botojë historinë e tij poshtë petkut “artistik”,  ndërkohë që çështja e tij është ende nën hetim. Me promovimin e librit, do të shohim një rikthim të BOmbajt në publik, emri i të cilit për javë të tëra është komentuar në media jo për projektet e tij artistike, por për një konflikt të stërzgjatur me reperin Arkimed Lushaj (Stresi). Ndërkohë që çështja vazhdon, vetë regjisori nuk ka pranuar të japë asnjë intervistë në media në lidhje me konfliktin e sipërpërmendur, duke ia lënë çështjen Prokurorisë. Ndërkohë që paralelisht me hetimin, ka menduar të shkruajë librin në kohë rekord, si për të hedhur dritë mbi këtë histori dhe për t’u rrëfyer të vërtetën e tij lexuesve apo fansave. Para disa ditësh, doli lajmi se katër persona do të dërgohen në gjyq me akuzën e gjobëvënies ndaj regjisorit Leonard Bombaj, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda është drejt përfundimit të hetimeve, pasi u ka njoftuar akuzat shtetasve Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit si Stresi dhe Elis Bashajt, të dy nën masën e sigurisë detyrim paraqitjeje. Pak ditë më parë, këngëtari i njohur me emrin Stresi, u thirr në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku mohoi akuzat e ngritura për gjobvënie ndaj tij dhe shprehu besim se Drejtësia do të zbardhë të vërtetën. Nga ana tjetër, për Bombajn dhe familjen e tij, historia nisi një vit më parë, pikërisht më 22 korrik të vitit 2010, kur u sulmua në banesën e tij në Tiranë, edhe pse konflikti me Arkimed Lushajn u mediatizua vetëm këto muajt e fundit. Që nga ajo kohë, regjisori pas zhurmës së krijuar në lidhje me akuzën e përdhunimit të vajzës 15- vjeçare, e cila studionte dhe njëkohësisht ishte imazh i kompanisë së tij “Sirea film”, ka vendosur t’i largohet një buje të tillë për të vazhduar jetën normalisht me familjen, bashkëshorten dhe dy fëmijët e vegjël. Kjo periudhë ka shërbyer dhe si moment reflektimi për të shkruar këtë libër, që ngjall kuriozitet për të ditur se si do të jetë treguar artistikisht ngjarja më e bujshme e vitit.

KLOTILDA HARKA

© Panorama.al

Te lidhura